Lojtari ankohet në FSHF, sepse klubi bardheblu nuk i ka paguar ende paratë. Komisioni juridik ultimatum 30 ditor 24 herë kampionëve
Olsi Avdiaj
Komisioni i Disiplinës “i vë litarin në fyt” klubit Tirana. Bardheblutë kanë 30 ditë kohë, të paguajnë lojtarin Gjergji Muzaka, në të kundër Komisioni i Disiplinës në FSHF do të ndëshkojë Tiranën me heqjen e tre pikëve. Ndonëse Gjergji Muzaka më 23 janar 2017 ka fituar më shumë se 10 milionë lekë të rinj ndaj Tiranës, ai ende nuk është paguar nga klubi bardheblu. Duke pritur pa fund, futbollisti ka marrë një vendim përfundimtar. Të kërkojë në rrugë gjyqësore sportive, paratë që janë të tijat, por që ende nuk janë paguar nga Tirana. Para disa kohësh ai ka depozituar kërkesën, për ekzekutimin e vendimit të janarit të 2017-ës. Komisioni juridik i mbledhur dje në FSHF, i ka dhënë një ultimatum Tiranës, që nëse lojtari nuk paguhet për 30 ditë, klubi do të ndëshkohet sipas Kodit të Disiplinës Sportive. Po nëse nuk paguan Tirana? Atëherë është e sigurt që skuadrës do ti hiqen tri pikë nga renditja në Kategorinë e Parë. Shkurt, Tirana në prag të sfidës më të rëndësishme në kampionat, ka litarin në fyt.
Zgjidhja për bardheblutë
Situata e Tiranës është shumë e thjeshtë. Janë tre mundësi për bardheblutë, që të zgjidhë këtë çështje. E para dhe më e thjeshta është që të paguajë paratë brenda 30 ditëve. Zgjidhja e dytë është që klubi Tirana dhe lojtari Gjergji Muzaka të ulen dhe të zgjedhin të firmosin një marrëveshje xhentëlmenësh. E treta, në bazë të rregulloreve, federata, ti sekuestrojë shpërblimin që Tirana ka fituar në Kupat e Europës dhe tia kalojë lojtarit Gjergji Muzaka, i cili prej më shumë se një viti pret 100 milionët të fituara në rrugë gjyqësore.
Vendimi i DHKZK
Gjergji Muzaka u largua nga bardheblutë në janar 2017 me një “thes me para”. Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve ka vendosur më 23 janar 2017 ti japë të drejtë lojtarit bardheblu, duke e paguar Muzakën me një shumë marramendëse. Lojtari bardheblu, triumfoi pas një dueli me “goditje poshtë brezit” dhe debate në që degraduan live televizion pikërisht me Refik Halilin. Federata i dha të drejtë futbollistit në gjyqin vitit të shkuar. Lojtari gëzoi lirinë dhe paratë, duke u larguar nga bardheblutë ashtu siç i kish hije një lojtari që emër në futbollin shqiptar dhe firmosi me Skënderbeun.
Tirana nuk apeloi në KAS Lozanë
Gjergji Muzaka dhe Tirana, beteja vazhdon në KAS! Ky ishte lajmi i bujshëm i janarit 2017, pasi dashuria mes mesfushorit e klubit bardheblu u kthye në urrejtje dhe luftë për pagat e pa dhëna. Në FSHF i dhanë të drejtë mesfushorit, që duhej të paguhej për thuajse një vit pa paga, ndërsa Tirana paralajmëroi se do ta çonte çështjen në KAS. E çoi, por pagesa nuk u bë në afatet e duhura dhe çështja nuk u shqyrtua fare. Pak a shumë si historia e gjyqit mes Flamurtarit dhe Ernest Gjokës.
Si nisi gjyqi?
Ka qenë një kërkesë e futbollistit për të zgjidhur gjithçka me ndërmjetësimin e federatës, por mos arritja e akordit për zgjidhjen e kontratës së Gjergji Muzakës me klubin Tirana përfundoi në gjykim. Në ditët e para të 2017-ës u bë zyrtare prishja e marrëveshjes midis mesfushorit 33-vjeçar dhe klubit bardheblu, me futbollistin që pretendonte se nuk ishte paguar në bazë të kontratës së nënshkruar midis palëve. Pavarësisht se futbollisti nisi vitin 2017-të, nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa, aventura e dytë me fanellën bardheblu përfundoi me gjyq. Ai u ankua në FSHF dhe Tirana nuk e mori me vete në fazën përgatitore të Antalias së vitit të shkuar. Publikisht Muzaka kërkoi nga klubi 16 muaj rroga, për një pagë mujore prej 700 mijë lekë, pra në total prej rreth 11 milion lekësh.
Deklaratat e palëve
Vetë Refik Halili për çështjen në fjalë kohë më parë është shprehur: Muzaka si çdo futbollit tjetër ka një kontratë. Në një pikë tjetër thuhet: Lojtari do të paguhet 70 milionë lekë të vjetër në vit, e ndarë kjo në 10 muaj. Dhe klubi do ti paguajë lojtarit në të gjithë kohëzgjatjen e kësaj kontrate, një shpërblim maksimal mujor, e vlefshme për 70 milionë lekësh. Paga mujore me vlerë 1 milion lekë bruto dhe bonus 6 milionë lekë bruto. Në bazë të kontratës që ai ka dhe kur dihet që ka qëndron i dëmtuar, nuk mund të marrë pagë plus bonos. Ndërkohë Gjergji Muzaka nga ana e tij, asokohe sqaronte se: Unë jam dëmtuar në ndeshje zyrtare, në fund të kampionatit. Ne kemi kontrata 10-mujore, pra nuk paguhemi për qershorin dhe korrikun. Isha i gatshëm që në gusht, megjithatë, po e lëmë sikur nuk kam qenë i tillë. Nga shtatori stërvitesha me skuadrën dhe u aktivizova në tetor. Pra, më takojnë 7 milion lekë për muajt që kam qenë i gatshëm për të luajtur. Nënshkrova një kontratë me Tiranën me mendje dhe dëshirë për ta mbyllur karrierën time aty. Por, kalova një periudhë tepër të vështirë dhe të sikletshme. Si përfundim, më vjen mirë që e gjeta të drejtën time, si nga aspekti institucional, ashtu edhe nga mbështetja e opinionit sportiv, deklaronte një vit më parë Gjergji Muzaka në emisionin Wake Up të Top Channel.
Vendimi i djeshëm i Komisionit të Disiplinës
* Pranimin e kërkesës së lojtarit Gjergji Muzaka. Detyrohet K.F Tirana të ekzekutojë vendimin Nr.1 datë 23.01.2017 të DHKZK brenda një afati 30 ditor, duke nisur nga data e shpalljes së vendimit. Paralajmërohet KF Tirana, se me kalimin e afatit 30 ditor, do të merren masat përkatëse në bazë të Kodit të Disiplinës Sportive.
Vendimi i Dhomës Kombëtare të Zgjedhjes së Konflikteve, janar 2017
1. Pranimin pjesërisht të kërkesës së paditësit Gjergji Muzaka.
2. Zgjidhjen e kontratës me KF Tirana dhe lënien e lirë të lojtarit.
3. Detyrimin e KF Tirana ti paguajë paditësit shumën prej 10.697.000 lekë.
4. Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkesës.
5. Shpenzimet gjyqësore në shumën 100.000 lekë i kalojnë KF Tirana.