Xhemal Mustedanagiç prej vitesh po bën një punë të madhe me skuadrën e 17-vjeçarëve, por tani ka ardhur momenti që të nisë të kontribuojë më shumë edhe për skuadrën e parë. Boshnjaku me shumë mundësi do të drejtojë për të fundit herë skuadrën e 17-vjeçarëve në turneun e muajit të ardhshëm, gjithnjë nëse skuadra nuk avancon më tej.
Në konferencën që është zhvilluar sot në FSHF, ku është publikuar dhe lista për ndeshjet e ardhshme, tekniku boshnjak ka komentuar dhe për të ardhmen e tij, por dhe për situatën me lojtarët e rinj dhe premtues.
AVENTURA E RE
“Me shumë mundësi nuk do të vijoj të jem më trajneri i U17 pas këtyre ndeshjeve gjithnjë nëse nuk shkojmë në ‘Elite Round’. Do të kem një sfidë të re detyra që do të marr dhe po e shikoj me shumë kujdes situatën. Kemi një skuadër të talentuar dhe them se do të bëjmë mirë edhe në të ardhmen. Kam mjaft ide, por nuk do të bëjmë revolucion dhe në të ardhmen do të bëjmë përpara, pasi Shqipëria ka potencial. Do të bëj më të mirën time si drejtor teknik, por jo çdo gjë bëhet brenda një nate. Në dy vitet e ardhshme do të shihet një ecuri pozitive e ekipeve Kombëtare. Veç Kombëtares së parë unë të ndihmoj në zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Do punojmë që në kombëtaren shqiptaren të ketë sa më shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, ndërsa nga jashtë të vijnë vetëm talentet e mëdhenj. Nëse kanë pak dallim lojtarët që luajnë jashtë nga ata që luajnë në Shqipëri, do të afrojmë ata që luajnë këtu”.
SHQIPËRIA KUNDËR IZRAELIT
“Shqipëria u paraqit mirë në Izrael, por duhet thënë se i mungoi fati, duke kujtuar këtu rastet e Balajt. Trajneri provoi disa lojtarë me Jordaninë, por për sfidën e djeshme kishim dhe mungesa me peshë”.
TTALENET NGA KOSOVA
“Numri i lojtarëve që vijnë nga Kosova është ulur. Do të afrojmë çdo lojtar që ka dëshirë që të luajë për Shqipërinë, sigurisht nga ata që e meritojnë. Ismajli? Ka prindër të cilët luajnë dhe me dy porta. Kujtoj këtu rastin e Asllanit”.