Mustafa te Teuta, Nica: Detyrim moral të vija

Mesfushori i Lirisë së Prizrenit pritet të jetë afrimi i parë. Trajneri durrsak ka dhënë porositë e para për ekipin e tij

Stavri Nica prezantohet te Teuta dhe para futbollistëve ka kërkuar unitet dhe agresivitet. Skuadrat e drejtuara nga durrsaku kanë treguar se dinë të luajnë futboll dhe këtë e kërkon sërish kreu i pankinës së “djemve të detit”. Ditën e djeshme Nica foli për rikthimin në krye të Teutës dhe arsyen se pse e mori përsipër skuadrën në të tilla kushte, kur ndodhet në vendin e tretë nga fundi me vetëm 15 pikë.

“Sigurisht që si qytetar i Durrësit, jam i detyruar moralisht të vij t’i shërbej skuadrës. E pranova me kënaqësi kërkesën e drejtuesve. Në kështu situatash më kanë kërkuar shumë ekipe, nuk është se më kanë thirrur kur kanë qenë në ekuilibër, por kjo nuk më tremb. Shpresoj t’i shërbej skuadrës”, u shpreh fillimisht për mediat trajneri Nica. Merkato është e rëndësishme dhe po shikohet kryesisht jashtë vendit. “Po ndjekim lojtarë të huaj, kryesisht në Europë, por edhe në Brazil. Megjithatë po i ndjekim me kujdes, pasi përvoja e ka treguar se është kohë e shkurtër dhe duhet të matemi mirë”, shtoi trajneri i Teutës, që në krah të tij në këtë aventurë do të ketë edhe Ilir Biturkun, që më përpara e ka drejtuar skuadrën durrsake i vetëm. Një problem për Teutën në pjesën e parë të sezonit ka qenë mosruajtja e avantazhit dhe ky problem sipas Nicës zgjidhet duke pasur një skuadër të kompletuar. “Gjykimi im është që të plotësohet skuadra me lojtarë cilësorë, këtë e do çdo trajner. Nëse vijnë, atëherë ndryshojnë gjërat. Nëse nuk ka lojtarë cilësorë, atëherë gjërat edhe për trajnerin bëhen më të vështirë”, tha durrsaku, që beson shumë se mund t’ia dalin të qëndrojnë në Superiore. Strategjia është e thjeshtë: vlerësim maksimal çdo ndeshjeje. “Po nuk i morëm ndeshjet një e nga një dhe nuk i shohim të gjithë si kundërshtarë, atëherë është e vështirë. Skuadra duhet të jetë agresive, por duhet të ndryshojë edhe në përbërje”, përmbylli Nica deklaratën e tij. Sa i takon fazës përgatitore, Teuta do ta zhvillojë atë në Turqi.

ILIR MUSTAFA
Për pak ditë lojtarët kanë pushuar, por klubi ka hartuar strategjinë e merkatos, duke e pasur të qartë se duhen përforcime serioze, pas largimit të mesfushorëve Albi Dosti e Nijas Lena dhe mungesës së eksperiencës në skuadër. Tani zbulohet goditja e parë e klubit durrsak, që thuajse ka mbyllur marrëveshjen me mesfushorin e Lirisë së Prizrenit, Ilir Mustafa. Siç raporton Gazetasheshi.com, Teuta që i ka bërë ftesë futbollistit t’i bashkohet dhe gjasat janë maksimale që Mustafa në pjesën e dytë të sezonit e ri të veshë fanellën e ekipit bregdetar. 21-vjeçari është nga futbollistët më të talentuar në kampionatin e Kosovës dhe ka aftësi mjaft të mira ofensive, duke pasur një nuhatje të madhe për gol, sidomos falë gjuajtjeve të sakta nga distanca. Ndonëse në moshë të re, Mustafa ka dhënë kontribut të madh për Lirinë, ku është bërë lojtar i rëndësishëm, por një kalim në kampionatin shqiptar do të ishte një hap i madh përpara në karrierën e tij.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *