Musta: Skuadra e fortë shihet në momente të vështira

 

Mbrojtësi i majtë kthehet pas pezullimit dhe është i bindur se Flamurtari do të dijë të reagojë pas humbjes ndaj Luftëtarit

Flamurtari është tronditur jo pak këtë javë, por tashmë është me mendjen drejt Shkodrës dhe kërkon të harrojë humbjen përballë Luftëtarit në Vlorë. Dy janë rikthimet e rëndësishme tek vlonjatët, që shpresojnë te Danilo Alvesh dhe Emiljano Musta, lojtarë të cilët tashmë kanë përfunduar pezullimin për shkak kartonësh në ndeshjen me Luftëtarin. Musta, i cili është një nga titullarët e padiskutueshëm të skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro, sheh me optimizëm përpara, pavarësisht humbjes me Luftëtarin,ndërsa pritet të rimarrë vendin e vet si mbrojtës i majtë, pozicion që e ka mbuluar shumë mirë, edhe pse në karrierën e vet ka luajtur edhe në mesfushë e sulm. Tani Musta kërkon të largohet vëmendja nga Luftëtari dhe të shihet përpara: “Humbja me Luftëtarin erdhi në një moment kur nuk e prisnim, por kjo mund t’i ndodhë çdo skuadre gjatë një kampionati” – konfirmon elbasanlliu i Flamurtarit. “Një humbje që natyrisht në këtë moment nuk duhej, por nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim përpara me optimizëm. E thashë se një humbje e tillë dhe një moment i keq i ndodh çdo skuadre, e rëndësishme është të dish të reagosh dhe ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë diçka të tillë, pasi skuadra e forta dinë ta ngrenë kokën. Luftëtari tregoi vlerat e tij dhe duhet vlerësuar për fitoren që mori në Vlorë, pavarësisht se mendoj se me atë çfarë u zhvillua në fushë dhe duke parë rastet, ne nuk e meritonim një rezultat të tillë”.

VLLAZNIA – “E vuajta padyshim ndeshjen nga tribuna, por tani ja gati për të zbritur në fushën e lojës. Me Vllazninë do të jetë një përballje shumë e luftuar, me një skuadër me mjaft kualitete, por jo me një pozicion komod në renditje. Vllaznia ka vlerësimin tonë maksimal,ashtu si edhe çdo skuadër tjetër dhe e dimë vështirësinë e kësaj ndeshjeje. Ata  do të kërkojnë që padyshim të marrin rezultat maksimal,duke pasur në konsideratë edhe faktin se luajnë në fushën e tyre,por edhe ne duam vetëm tre pikët në këtë ndeshje.  

“Ne e kemi objektivin të qartë për këtë ndeshje dhe duam që të harrojmë sa më shpejt atë çfarë ndodhi në ndeshjen me Luftëtarin, ndaj edhe ilaçi më i mirë në këto momente është vetëm fitorja në  ndeshjen e radhës. Kemi mungesa edhe në këtë ndeshje, si Useini apo Sidibe, apo lojtarët e dëmtuar. Natyrisht, mungesat janë gjithmonë problem për një skuadër, por mendoj se Flamurtari ka lojtarë mjaft cilësorë dhe padyshim që do të japin kontributin e tyre maksimal në këtë përballje shumë të rëndësishme. Ne e kemi grupin dhe do të kërkojmë më të mirën. E respektoj Vllazninë dhe vlerësim maksimal për kundërshtarin, por duam  të realizojmë objektivin tonë për këtë takim, që është fitorja”, deklaron Musta, i cili ka luajtur 20 ndeshje në kampionat këtë sezon, me 2 gola të shënuar, një prej tyre pikërisht ndaj Vllaznisë në Vlorë. Një gol tjetër nesër do të ishte me peshë edhe më të madhe se ai i shënuar në dhjetor, duke parë vështirësitë që po has sulmi vlonjat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online