Që futbolli ka marrë një rrugë shumë të errët e është larguar shumë nga të qenit sport zbavitës, këtë tashmë e dimë, por kur shohim transferime të tilla si ai që ka zyrtarizuar Mançester Junajtid sot, të vjen paksa dëshira për të fikur gjithçka. Merkatoja e futbollit tashmë është kthyer në një lojë gjigante në Play-Station, me miliona që qarkullojnë si pa të keq dhe me lojtarë mediokër që kuotohen sikur të ishin Maradona i ringjallur.
Nën rrogoz ndodhin histori nga më të shëmtuarat, klube, presidentë, agjentë e futbollistë që janë pjesë e një cirku gjigant ku secili mundohet të kapë një thelë.
Ndoshta një histori e tillë është edhe ajo e transferimit të mbrojtësit Diogo Dalot (kush?) nga Porto te Mançester Junajtid. Portugez, ashtu si Murinjo, i lidhur me fije të padukshme me Zhorzh Mendesh, agjenti i plotfuqishëm i Murinjos, Ronaldos e me radhë.
Current mood ?#BemvindoDalot #MUFC pic.twitter.com/BFuaPgOH6R
— Manchester United (@ManUtd) June 6, 2018
Ajo që habit është se Mançester Junajtid i ka paguar Portos 20 milionë euro, sipas mediave në Angli. A është normale? Jo dhe aq! Dalot është 19 vjeç, ka luajtur shumë ndeshje me ekipin B të Portos, është pjesë e Portugalisë U-21, por me ekipin e parë të Portos është bashkuar vetëm në janar dhe këtë vit ka luajtur 7 ndeshje në total në të gjitha kompeticionet. Mjafton që çmimi i tij të shkojë aq lart? Ku i dihet, ndoshta është një fenomen, por si pa dashje në mendje na vjen një sulmues me emrin Bebe. Ndoshta askush nuk e mban mend, por në vitin 2010 kaloi nga Guimaraesh te Mançester Junajtid për 8,8 milionë euro.
Futbollist mediokër, në Mançester luajti në total 3-4 ndeshje, u huazua në disa klube dhe pastaj pas 4 vitesh si turist në Angli shkoi falas te Benfika, ku gjithashtu nuk luajti fare, por u end në huazim në klube të ndryshme. te Junajtid u bë objekt humori, tifozët këndonin në Old Trafford: “Po shënoi Bebe, do futemi në fushë”. Tani është 27 vjeç, ka mbi 10 klube në CV, por ka edhe një fat të madh: agjenti i tij ishte Zhorzh Mendesh, i cili e ngeci te Junajtid si pjesë e marrëveshjes që Ronaldo të qëndronte një vit më shumë, para se të ikte përfundimkisht, duke firmosur për Realin.