Trajneri portugez mendon se klubi nuk ka investuar sa duhet për të rivalizuar me Mançester Sitin. Trajneri nën presion pas akuzave ndaj lojtarëve
“Boxind Days” historikisht ka qenë një ditë e favorshme për Mançester Junajtidin dhe trajnerin Zhoze Murinjo. Kështu pritet të jetë dhe sonte, me “Djajtë e kuq” që vështirë se do të gabojnë ndaj Bërnlit në “Old Trafford”. Veçanërisht pas barazimit të papritur në fushën e Lesterit në mesjavë. Megjithatë “Boxing Day” 2017 nuk duket dhe aq i qetë për trajnerin Zhoze Murinjo. barazimi në kohën shtesë me Lesterin ka lënë gjurmë tek portugezi, i cili është gjithnjë e më i bindur se nuk ka në duart e tij një ekip të denjë për të rivalizuar Mançester Sitin pë titullin kampion. “Qytetarët” tashmë duket se luajnë në një kampionat më vete me 13 pikë më shumë se “Djajtë e kuq” në renditje dhe Murinjo e ka të vështirë të pranojë këtë realitet të ri në ishull. Trajneri i Mançesterit duket nën presion dhe nga klubi, por dhe nga tifozët. Kjo u reflektua gjatë konferencës për shtyp pas takimit përballë Lesterit (2-2), ku portugezi ka reaguar ashpër ndaj çdo pyetje të gazetarëve. Si të mos mjaftonte kjo ai ka sulmuar jo pak lojtarët e tij, duke i cilësuar si fëmijë për rastet e shpërdoruara që mund ta kishin mbyllur takimin me kohë.
Murinjo i pakënaqur me klubin – Murinjo nga ana e tij duket i pakënaqur me qasjen e klubit ndaj tij. Portugezi është i mendimit se klubi nuk e ka mbështetur aq sa duhet për ta kthyer Mançester Junajtidin te titulli kampion. Çdo ditë e më shumë Murinjo është zhgënjyer nga klubi dhe i bindur se blerjet e bëra janë të pamjaftueshme për të garuar si i barabartë me Mançester Sitin. Edhe kritikat e forta të tij ndaj lojtarëve pas barazimit kundër Lesterit nuk kanë qenë gjë tjetër veçse një shfryrje ndaj klubit, që nuk i ka mundësuar të ketë në dispozicion lojtarët e duhur. Një nga analistët e njohur në Angli, Jan MekGari, duke komentuar gjendjen e Mançesterit ka thënë: “Murinjo është një fitues dhe ai e urren faktin që nuk kryeson kampionatin, faktin që ka dalë jashtë nga Kupa e Ligës e urren faktin se ai nuk beson se ka në shërbim të tij ekipin e duhur për të fituar Premier Ligën apo Ligën e Kampioneve. Ai e urren faktin që klubi nuk po i përgjigjet si duhet kërkesave të tij për lojtarë. Familja Glejzër dhe Ed Uduard nuk janë shfaqur të gatshëm të ndihmojnë sa duhet Murinjon, siç po bën Siti me Guardiolën. Mançester Siti ka dy lojtarë në çdo pozicion që mund të zëvendësojnë fare mirë njëri-tjetrin. Murinjo nuk e ka këtë mundësi.”
Klubi i pakënaqur me Murinjon – Sipas gazetës britanike “The Mirror”, Murinjo mund të jetë një nga “viktimat” e mëdha të suksesit të Pep Guardiolës. Tashmë në rangjet e larta drejtuese të Mançesterit janë të bindur se Murinjo do ta ketë të pamundur të mbyllë hendekun prej 13 pikësh të krijuar me Sitin vetëm në gjysmën e garës. Madje frika është se ky hendek mund të mos mbyllet as në sezonin e ardhshëm! Tek Junajtid janë të habitur me faktin se si Guardiola me aq shumë lehtësi e ka kthyer ekipin e tij në një makineri fituese, duke i shtuar faktin se dhe qasja e Murinjos nuk është se e ka ndihmuar Junajtidin të qëndrojë në gjurmët e “Qytetarëve”. I vetë-proklamuari “Special One” ka një stil që nuk pëlqehet shumë, ai ëhstë mjaft pragmatist dhe i fokusuar drejt mbrojtjes, veçanërisht në takimet kundër ekipeve të elitës në Premier. Kjo gjë nuk i pëlqen drejtuesve, të cilët duket se kanë vënë në pikëpyetje vijimësinë e portugezit në krye të “Djajve të kuq”. Sipas “Daily Star”, Mançesteri ka ngrirë bisedimet me Murinjon për rinovimin e kontratës me portugezin, të paktën për momentin.