Në momentin kur Silvinjo publikoi listën provizore të EURO24, specialistët në Shqipëri u ngritën kundër trajnerit për herë të parë. Në fakt, dukej sikur ishte grumbulluar një mllëf prej kohësh dhe për fatin e mirë, askush nuk mundi ta nxirrte, pasi Silvinjo e dërgoi Shqipërinë në vendin e parë në grupin kualifikues.
Por sapo erdhi momenti i parë ku kishte pak hapësirë për të thënë një fjalë më shumë, askush nuk mëshiroi dhe kritikat vluan nga të gjitha krahët për trajnerin tonë. Një prej befasive të tij ishte edhe Arbër Hoxha.
Në fakt, Ismet Munshi e kishte paralajmëruar ftesën për këtë lojtar. Vetëm dy muaj më parë, Munishi nuk ngurroi që ta quante lojtarin e Dinamo Zagrebit, si sulmuesin më të mirë të krahut që ka pasur Shqipëria në gjithë historinë e saj.
Arbër Hoxha e nisi si titullar edhe në përballjen e djeshme kundër Lihtshtejnit. Silvinjo e testoi dhe donte të shihte më mirë aftësitë e tij, ndërsa Arbëri nuk e zhgënjeu. Menjëherë ra në sy aftësia e tij brilante në kontrollin e topit dhe driblimet që e ka armën më të fortë. Madje në një moment, Arbër Hoxha nisi të driblonte çdo kundërshtar që i dilte përpara, pavarësisht se Lihtshtejni nuk është matësi më i mirë. I vetmi problem, për shkak të ndeshjeve të pakta me Kombëtaren dhe emocioneve, Hoxha gabonte gjithmonë në zgjedhjen e fundit, në pasimin ose krosimin që do të sillte rrezikshmërinë maksimale për golin.
Megjithatë duhet theksuar se ka shumë gjasa që Arbër Hoxha të jetë një nga befasitë më të mëdha të Shqipërisë në EURO24. Pavarësisht se pakkush e ka llogaritur në listën e tij, siç në fakt kanë bërë edhe me Jasir Asanin apo Mario Mitajn, që sot i falen spektaklit e tyre. Aftësitë janë aty, Hoxha është gati për të lënë gjurmën e tij në Gjermani. /Sport Ekspres/