Në media ka pasur gjithmonë një diskutim të madh sa i përket Kosovës, nëse quhet përfaqësuese apo Kombëtare. Sigurisht që kjo e fundit është një term i gabuar pasi nuk ka komb kosovar, por kjo përdoret gjithmonë si përkufizim.
Për t’i dhënë një qartësim më të saktë kësaj teme ka menduar trajneri i Ballkanit që po lufton për titull kampion në Kosovë, Ismet Munishi. I ftuar në emisionin “Dueli Sportiv”, ka qartësuar se dardanët nuk mund të quhen Kombëtare, por po ashtu edhe Shqipëria.
Pavarësisht se te kuqezinjtë gjenden lojtarë nga të gjitha trevat, sipas Munishit, Shqipëria përfaqëson vetëm shqiptarët brenda territorit zyrtar. “Kombëtare Kosovën nuk mund ta quajmë. Është term që rrjedh prej anglishtes ‘national team’, te ne nuk ekziston kjo fjalë sepse atje, ajo përfshin edhe kombin edhe shtetin. Te ne është pak më ndryshe, te gjuha shqipe. Brazili për shembull e ka termin seleksion (Selecao).
Unë kombëtare nuk e quaj as të Shqipërisë, sepse ajo nuk e përfaqësonë gjithë popullin shqiptar, por vetëm gjysmën. Nuk e përfaqëson as Çamërinë, as Preshevën, as Ulqinin, as Maqedoninë. Atë duhet ta quajmë gjysma e Kombëtares”, ka thënë Munishi sipas asaj që raporton “Gazeta Olle”. /Sport Ekspres/