Tashmë gjithçka ndryshon. Kamza mori një goditje të dielën, teksa u mposht në shtëpi nga Luftëtari në kampionat. Kjo humbje ka ardhur ndoshta në momentin e duhur dhe ekipi i drejtuar nga Ramadan Ndreu “nuk fle dot më mbi dafina”. Vendi i dytë na kampionat u mbajt vetëm një javë, ndërkohë që sot Kamza luan një sfidë të rëndësishme në Kupë, teksa me Teutën do të diskutojë çështjen e kualifikimit në fazën çerekfinale. Nuk ka shumë që kamzalinjtë fituan në “Niko Dovana” kundër durrsakëve, ndërsa ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1.
Skuadrës së Maganit i mjafton një barazim pa gola për të bërë më tej, ndaj Kamza do të tentojë të gjejë rrugën e rrjetës me çdo kusht or t’u kualifikuar. Gjatë këtyre ditëve forma sportive e Sebino Plakut ka ardhur në rritje, pasi para ndeshjes me Luftëtarin ai kaloi një gjendje gripale dhe u stërvit vetëm një ditë para përballjes. Por trajneri Ndreu nuk do ta ketë grupin të plotë, pasi mbrojtësi Hektor Idrizaj u dëmtua në ndeshjen me gjirokastritët dhe u zëvendësua gjatë pjesës së parë.
Nuk bëhet fjalë për diçka serioze, është vetëm një kontraktim, por sot nuk do të jetë i gatshëm. Mjekët po bëjnë gjithçka që ai të jetë gati për ndeshjen e kampionatit me Vllazninë dhe me gjasa kështu do të ndodhë. Mungesa e tij në Kupë do të mbulohet nga Mërgim Neziri, që do të aktivizohet si mbrojtës i majtë, pozicion që e ka mbuluar në një pjesë të mirë të ndeshjeve, madje si titullar.