Sot vlonjatët nisin përgatitjet për takimin me Vllazninë. Për shkak të takimit në Gjirokastër, stafi teknik ka lejuar ekipin të qëndrojë pushim për 24 orë dhe sot janë parashikuar dy seanca stërvitore. Mbetet për t’u konfirmuar se nëse do të ketë mungesa për takimin e radhës për shkak dëmtimesh, pasi të pezulluarit janë konfirmuar dhe janë dy lojtarë të rëndësishëm të mesfushës. Muhamed Useini dhe Viktor Zhufo, autori i golit ndaj Luftëtarit, u ndëshkuan me kartonë të verdhë në transfertën e së hënës dhe janë të pezulluar këtë javë. Me interes pritet të shihet se çfarë lëvizjesh do të bëjë trajneri Duro për të zëvendësuar këta dy futbollistë. Lajm i mirë është rikthimi i Goran Siljanovskit, që do të zërë vendin e tij në krahun e djathtë të mbrojtjes.
GJENDJA E FUSHËS
Situata e vështirë e kaluar në Vlorë dhe rrethina për shkak të përmbytjeve dhe reshjeve me intensitet nuk ka sjellë probleme për stadiumin “Flamurtari”, teksa si ambientet e stadiumit dhe fusha janë kushte mjaft të mira. Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, e vlerësoi këtë fakt, duke mos harruar të lëshojë një falënderim edhe për bashkinë e qytetit të Vlorës. “Situata është mjaft e mirë, pavarësisht situatës me reshje intensive dhe përmbytje. Situata në stadiumin Flamurtari ka qenë mjaft normale, pavarësisht se edhe ne kishim marrë masat tona, për shkak të reshjeve me intensitet. Si ambientet e brendshme, ashtu edhe fusha e stadiumit janë në kushte mjaft të mira, jo si ndodhi në vitin 2015, kur atëherë edhe stadiumi nuk i shpëtoi situatës së vështirë. Për këtë gjej rastin që edhe si qytetar të vlerësojë dhe falënderoj për punën e saj Bashkinë”, u shpreh Idrizi.