“Mungesat e Brojës, Uzunt dhe Bares? Kemi Asllanin Bajramin dhe Abrashin”, Reja tregon rritjen: Tani Shqipëria nuk luan më me topat e gjatë

Reja ka dalë sot në konferencë për shtyp në prag të sfidës kundër Islandës, e cila luhet mbrëmjen e nesërme. Trajneri i Shqipërisë nxjerr në pah rritjen që ka pësuar ekipi ynë kombëtar në vitet e fundit, por nga ana tjetër nuk përzgjedh asnjë favorit për delin e nesërm. Sa i përket mungesave që do të ketë kundër islandezëve, Reja duket i pashqetësuar, teksa shprehet se ka një grup lojtarët që mund të zëvendësojë pa probleme emrat që nuk do të jenë në dispozicion të tijin.

Sa jemi rritur në epokën Reja, a jemi gati për një hap më tej? “Që nga momenti që kam nisur me ndeshjen me Islandën, kemi pasur një rritje cilësore, por edhe në rezultate. Jemi këtu për të arritur diçka më të mirë. Padyshim që sa më shumë zhvillohesh, aq më e vështirë bëhet për të arritur gjendjen optimale maksimale. Padyshim që të gjitha ekipet që janë në këtë grup si Izraeli si Islanda pretendojnë që të jenë favorite me largimin e Rusisë. Megjithatë kjo e gjitha do tregohet në fushë dhe ne duhet të bëjmë gjënë më të mirë, për të treguar që jemi favorit jo vetëm në mendim, por edhe në fushë.”

Gjendja fizike e grupit, a janë të gjithë gati duke ditur se kemi mungesën e Brojës dhe Uzunit? “Padyshim të gjithë lojtarët që janë të grumbulluar janë fizikisht gati. I gjithë grupi është i gatshëm të jetë në fushë, kemi pasur dhe më para mungesa dhe i kemi zëvendësuar me zgjedhje që rezultuan të suksesshme. Kemi bërë një stërvitje të mirë dhe nga pikëpamja e grupit janë të gjithë mirë. Ajo që mbetet për të provuar është forca që do tregojmë në fushë, për të marrë më të mirën e mundshme nga kjo ndeshje.”

Islanda nuk është në formën më të mirë të mundshme, a e bën kjo Shqipërinë favorite pavarësisht se ndeshja është në transfertë? “Islanda është një skuadër e fortë, pavarësisht zhvillimeve është një skuadër fizikisht shumë e fortë. Ka kryesore luftën në ajër dhe duhet të jemi të kujdesshëm në çdo detaj, do mundohemi të bëjmë më të mirën, por nuk ka favorit në fushën e lojës duhet të bëjmë më të mirën.”

Nga mungesa e Rusisë, a ka presion në skuadër për të bërë diçka më shumë në këtë Nations League? “Ne duhet të japim më të mirën në fushë për të marrë një rezultat të mirë. Është shumë e rëndësishme që të gjitha mundësitë që krijojmë t’i finalizojmë. Kjo skuadër tashmë nuk luan më me topa të gjatë, por djemtë e mbajnë topin luajnë dhe nuk lëshojnë kollaj terren. Ne do të hyjmë të bëjmë më të mirën e mundshme, e them dhe njëherë që nuk ka favorit, por do bëjmë më të mirën e mundshme.”

Broja, Uzuni, Bare, cili mungon më shumë në skuadër? “Unë jam përpjekur të bëj një grup prej 24 a 25 lojtarësh që të jenë në nivel të lartë dhe ia kemi dalë, mund të them që mungesa e këtyre lojtarëve ndjehet, por kemi një grup të mirë që i zëvendëson. Nuk kemi Uzunin nuk kemi Baren, por kemi Abrashin, kemi Asllanin, Bajramin dhe besoj që kemi një grup të mirë që nuk do na bëjnë ta ndjejmë mungesën e këtyre lojtarëve.

Në fazë sulmuese, në miqësoren brenda grupit skuadra nuk ka shënuar, a ju ka shqetësuar? “ka qenë edhe temperaturat, por edhe kur luhet brenda grupit ambicia nuk është 100%. Normale që do doja një rezultat 4-4 dhe jo 0-0, por kanë qenë edhe portierët. Ajo që nuk më ka shqetësuar ka qenë rezultati, pasi më shumë kam dashur të shikojë gjendjen e lojtarëve sesa rezultati”, ka deklaruar Edoardo Reja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *