Armand Duka është i ftuar në studion e emisionit “Ora Sport“ në “Ora TV“, për të folur gjerë e gjatë për futbollin shqiptar. Kreu i Federatës Shqiptare të futbollit i është përgjigjur panelit të gazetarëve, ku ka ndarë këndvështrimin e tij në lidhje me kampionatin, arbitrimin, apo edhe Kombëtaren shqiptare.
Mungesa e liderit: “Shqipërisë i mungon një lider në fushë. Nuk e kemi një Lorik Cana. Është ndryshe kur të flet trajneri, ndryshe kur të flet shoku. Mudohet ta bëjë Berisha me Hysajn, por ai (Cana) e kishte të lindur“.
Dëshira pas përfundimit të detyrës si president i FSHF-së: “E kam me dëshirë që pse jo, kur të mbyll detyrën si presidenti i FSHF-së të drejtoj një klub futbolli. Jam i sigurt që ky ekip futbolli do të ishte i shëndoshë nga ana financiare”.
Shkarkimet e trajnerëve në Shqipëri: “Në drejtim dhe në manaxhim çdo gjë është subjektive. Nisur edhe nga eksperienca ime me trajnerët e Kombëtares, nuk mund ta kërkosh direkt defektin te trajneri. Humb një ndeshje, hiq trajnerin. Por është mentaliteti jonë, ndoshta ai emocioni pas ndeshjes…“.
Skema me 10 ekipe e kampionatit: “Unë nuk mendoj që duhet të ndryshojë. Padyshim që gjërat ndryshojnë dhe zhvillohen në të ardhmen. Por tani nuk duhet të ndryshojë. Jo të gjitha skuadrat do të luajnë në “Abissnet Superiore”. Në Shqipëri luhet futboll, këtë vit organizohen 600 ndeshje në javë. Duhet të ndërtojmë skuadra më elitare dhe të vetëkonkurojnë për më lart. Çdo lloj skeme ka argumente pro dhe kundër. Unë mendoj që peshorja anon te kjo skemë. Ne kemi eksperimentuar me skema të tjera. Kjo skemë me 10 skuadra garanton më shumë kompeticion. Nuk ka tolerime ndeshjesh, sepse këtu asnjë ekip nuk ka asgjë të sigurt. Ku ka më shumë kompeticion, sigurisht do ketë lojtarë më të mirë. Kategoria e Parë duhet të ndiqet akoma më shumë. Nuk mund të flitet me emra, duhet të flitet me kontribute. Ke emra të mëdhenjë të futbollit botëror që nuk shihen më në skenë, në Angli, në Itali, gjithandej“.
Transferimet: “Fakti që në merkaton e dimrit lëvizin disa lojtarë me shifra rekord, tregon që ka përmirësim. Shkallët rriten një nga një. Nuk mund të shkojmë nga 0 në 10 milionë. Por futbolli ynë historikisht nuk ka dërguar futbollistë në perëndim. Gjithmonë ka dërguar në Kroaci, Turqi. Transferimi i Skukës për 1.4 milionë është rekord historik”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/