Mund të largohet nga Izraeli, Jahmir Hykën e pret në Shqipëri “dashuria e vjetër”

Jahmir Hyka mund të mos jetë më pjesë e skuadrës Netanya. Mediat atje bëjnë me dije se lojtari shqiptar mund të gjejë një tjetër ekip në këtë dritare transferimesh dhe t’i japë fund eksperiencës në Izrael. Mësohet se klubi nuk do të bëhet pengesë në rast largimi. Ndërkohë ky është sezoni i dytë për futbollistin shqiptar në radhët e Maccabi Netanya, ku në sezonin aktual numëron 15 paraqitje, ndër të cilat 7 si titullar, por pa mundur ta dërgojë asnjëherë topin në rrjetë.

Kështu pista e largimit mbetet e hapur dhe duke marrë në konsideratë moshën e tij mund të kishim edhe më një rikthim në Superiore, më konkretisht me ekipin e Tiranës. Te këta të fundit Hyka ka luajtur në sezonin 2007/2008, për t’u rikthyer sërish te bardheblutë pas disa eksperiencave jashtë vendit në sezonin 2010/2011. Duke ditur dashurinë e madhe që futbollisti ka për klubin kryeqytetas, një rikthim për herë të tretë me fanellën bardheblu është një skenar që mund të ndodhë./Sport Ekspres/