Muaji korrik mbërriti dhe për pak ditë do të çelen turet kualifikuese të kompeticioneve të UEFA-s. 4 skuadra do të marrin pjesë nga kampionati shqiptar, Tirana në Ligën e Kampionëve dhe Laçi, Partizani e Vllaznia në Ligën e Konferencës. Por kaq vetëm sa i përket Shqipërisë zyrtare, pasi numri i skuadrave shqiptare do të jetë thuajse 3-fishi i atyre nga “Abissnet Superiore”.
Janë në total plot 11 skuadra shqiptare nga 4 shtete të ndryshme që do të provojnë fatin në Europë. Një numër kaq i lartë ky, sa të gjitha së bashku do të mund të formonin një kampionat më vete. Ballkani, Drita, Gjilani dhe Llapi përfaqësojnë këtë sezon Kosovën, ndërsa Shkupi dhe Shkëndija kanë fituar biletën europiane përmes kampionatit të Maqedonisë së Veriut. Skuadra tjetër shqiptare është ajo e Deçiçit, që vjen përmes kampionatit malazez. Tirana, Shkupi dhe Ballkani do luajnë në turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ndërsa pjesa tjetër në Ligën e Konferencës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/