Futbolli shqiptar është pezulluar prej një muaji tashmë dhe ende nuk dihet se kur do të rinisë sërish. Një ndërprerje kjo që pritet të sjellë një krizë në arkat e klubeve, ashtu si sektorët e tjerë të ekonomisë së vendit. Qeveria shqiptare refuzoi të ndihmojë sportin dhe nuk do të japë ndihma financiare për të, duke lënë kështu shumë sportistë dhe klube në një vështirësi të madhe ekonomike. Ndërkohë, Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptar ka nisur të japë kontributin e vetë për të qenë pranë futbollistëve në nevojë.
Vetë Sindikata ka përdorur faqen e saj zyrtare në rrjete sociale për të bërë me dije nismën e tyre, që konsiston në mbështetjen e lojtarëve të futbollit në këto kohë të vështira pandemie, ku ende nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me pagat e tyre. Madje këtë askion humanitar e kanë shoqëruar me një shprehje të famshme të Nënë Terezës “ Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe“. Me këto fjalë SFPSH e bën të qartë se është mëse e mjaftueshme edhe një ndihmë sa do e vogël, e cila nëse jepet nga të gjithë realizon një punë të madhe./Sport Ekspres/