Myrto Uzuni është vënë në shënjestër nga kritikët për shkak të atij rasti që humbi ballë për ballë me portierin e Anglisë. Një situatë e përsëritur shpesh në Kombëtare, që duket se po sjell nervozizëm te tifozët. Kritikat nuk kanë munguar as nga Roland Luçi, i cili “plas b.ombën” dhe në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Ora Sport” në “Ora TV” shprehet se Uzuni është një lojtar që ndihet mirë me ekipiet e Kategorisë së Katërt, por nuk e bën dot liderin në Kombëtare. Më tej komenton edhe situatën e krijuar me Armando Brojën, për të cilin kërkon kujdes maksimal pasi mund ta humbim përfundimisht nga ekipi kombëtar.
“Ndeshjen e pashë ashtu si e parashikoja. Anglia për momentin ka diferenca të mëdha me ekipin tonë, kështu që nuk ishte ndonjë surprizë. Rasti i humbur i Uzunit është një rast që nuk vjen aq shpesh dhe duhet shfrytëzuar. Kur e humbet ai rastin mund të thuhen të gjitha llojet e varianteve, sepse të gjitha do të ishin më mirë se sa e gjuajti ai. Gjuajtja e tij ishte tepër e dobët. Gjuajte gjysmë lart pa forcë është ideale për portierin. Nuk ishte gjuajte goli. Ai ndihet shumë mirë kur luan me ekipet e Kategorisë së Katërt dhe të Pestë në Hungari, por nuk ndihet lider në ekipin kombëtar. E njëjta histori ishte edhe me Hungarinë. Si duket trembet, humbet para portës duke na humbur mundësi të jashtëzakonshme.
Duhet të kemi shumë kujdes, sepse kjo i ka ndodhur edhe De Biasit më para me ndonjë lojtar në ekipin kombëtar. Nuk duhet të arrijmë deri atje sa Broja të nervozohet. Nëse ai do arrijnë në atë shkallë acarimi nga mosaktivizimi me ekipin kombëtar, mund të arrijë një pikë vlimi ku ai mund të ndihet i tepërt dhe do të kemi probleme pastaj me aktivizimin e tij. Duhet llogaritur gjithçka me lojtarë të tij. Broja me sa kam vënë re është lojtar individualist, ka edhe ai ato tekat e tij. Është lojtar i përkëdhelur. Duhet pasur shumë kujdes sepse mund ta humbim përfundimisht dhe nuk e kemi një luks të tillë”, ka deklaruar Roland Luçi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/