Nga Klaudio Ndreca
Duket si një kohë e gjatë që e kemi dëgjuar Ernest Muçin, por duhet të kujtojmë që ky lojtar është vetëm 22-vjeç. Merita i takon padyshim Tiranës që i dha besim këtij futbollisti në një moshë fare të hershme, kur shokët e tij jepnin provime në shkollë. Ndërkohë Muçi luante në stadiumet e kryeqytetit dhe çonte peshë zemrat e tifozëve bardheblu.
Por sigurisht që në atë moshë delikate, është shumë e vështirë që të menaxhohet vetja. Klasi dhe potenciali ishte i gjithi në këmbët e Muçit. Menjëherë pas ndeshjes me Crevena Zvezdën, trajneri i njohur serb për shkak të karrierës si lojtar, Dejan Stankovic, shkoi që ta përqafonte dhe ta përgëzonte: “Është lojtar i shkëlqyer”.
Ngjyrosja e flokëve ishte një nga detajet që tregonte se Muçi po i merrte kohë vetes për shkëlqimin e madh dhe të merituar jashtë Shqipërisë, por edhe me Kombëtaren e Shqipërisë. Jo pak kritika i kemi bërë edhe në disa ndeshje kur luante me Shpresat, për hir të së vërtetës, si ishte në njërën ndeshje me Shqipërinë U-21 nuk ishte në tjetrën.
Alban Bushi i varte gjithmonë shpresat te Muçi pasi ishte luks jo vetëm për Shqipërinë, por edhe te kundërshtarët ishte e vështirë që t’i gjeje një futbollist me Legian e Varshavës. Në jo pak raste Ernesti “e la në baltë” duke mos nxjerrë më të mirën e vetes, dukshëm Shpresat nuk e motivonin pasi në kokën e tij ishte ideja: “Jam për ekip të parë”.
U kërkua pak kohë që ky lojtar të bënte shkollën ushtarake te Legia dhe të mësonte prej saj. Në një ekip ku futbollisti shkon në klub në orën 9 të mëngjesit dhe largohet prej tij në 4 të pasdites, si në çdo punë tjetër. Kur Muçi shkoi te Legia, pas vetëm një stërvitje, trajneri Michniewicz u çmend prej tij: “Mos e quani më Ernest Muçi, por Ernest Messi”.
Megjithatë, gjërat nuk shkuan ashtu si priteshin. Talenti shqiptar nisi të përfundonte në stol dhe jo vetëm që nuk dallonte në fushën e blertë, por prishte jo pak punë për ekipin. Po i njëjtin trajner, Michniewcz, nuk ngurroi të tregonte problemin dhe duhej “të hante” fjalët e thëna: “Nuk lufton në duelet fizike. Bie në tokë pas një përplasje të tillë dhe për më tepër, nuk fiton as faull”.
Cilësia ishte po aty, por një futbollisti nuk i mjafton vetëm talenti. Për fatin e mirë, koha ka ndryshuar dhe Muçi duket se është kthyer në rrugën e drejtë, që të gjithë duam ta shohim. Lojtari protagonist dhe titullar i padiskutueshëm te Legia e Varshavës, vjen në Kombëtaren A për të shkëlqyer në fare pak minuta dhe për të shënuar një gol, jo më me flokët e lyera, por me thjeshtësinë maksimale.
Madje edhe në intervistat pas ndeshjes flet me diplomaci dhe jo më me zjarrin e dikurshëm të një të riu në Tiranë, që mendonte se e gjithë bota ishte e tija. Jo më kot edhe trajneri i njohur në Kosovë, Ismet Munishi, tha në deklaratën e tij për “Sport Ekspres”: “Më besoni, ky njeriu ka aftësinë që të luajë një ditë për Real Madrid. Ju në Tiranë nuk ia dini mirë vlerat këtij futbollisti”.
Të gjithë qeshin për momentin, ashtu siç mund të qeshin edhe nëse një ditë Muçi do të shkojë te Reali, pasi siç e kemi për zakon ne si shqiptarë, do t’i tregojmë se do të ulet në stol fillimisht. Por ky lojtar është padyshim një nga prodhimet më të mira në historinë e futbollit shqiptar. Ajo që kërkohet prej tani nga tani e tutje është vetëm përulja dhe puna intensive. Jo për hir të karrierës së Muçit, por për hir të Shqipërisë, për hir të krenarisë që do të ketë futbolli shqiptar dhe vetë Tirana që e krijoi. Ernesti duhet ta kuptojë që në këmbët e tij varet shumë më tepër sesa vetëm vetja e tij. /Sport Ekspres/