Marash Kumbulla po e vërteton se përse ka marrë vëmendjen e të gjitha klubeve elitare në Europë, ndërsa ka arritur të shënojë edhe ndaj Juventusit. Festa nuk do të zgjaste shumë, pasi VAR-i do të ndërhynte, duke e anulluar golin.
Shpeshherë edhe kjo teknologji gabon në vendimet e saj, ose më saktësisht arbitrat që shohin përsëritjen e pamjeve. Por në rastin e mbrojtësit të Kombëtares, kanë vepruar drejtë, megjithëse i hoqën dhuratën më të bukur të datëlindjen për çështje milimetrash.
Tërësisht e pafat, por dora e Kumbullës ishte më e avancuar sesa vendosja e lojtarëve të Juventusit, duke bërë kështu që goli të quhet i pavlefshëm. Në prononcimin e shkurtër për “DAZN”, Kumbulla është shprehur pas mbylljes së pjesës së parë: “Më vjen keq, pasi do të ishte kaq bukur që të shënoja për datëlindje. Nuk e di sesa shumë, megjithatë ishte pozicion jashtë loje”, tha shkurtimisht lojtari shqiptar. Por pavarësisht të gjithave, Shqipëria duhet të krenohet që e ka një futbollist të ri në këto nivele. /Sport Ekspres/