Mos u habisni vetëm me Lenjanin, presidentët në Ligue 1 dhe Werderi mendojnë variantin e fundit

Ndërprerja e futbollit për shkak të Covid-19 nuk mund të kalonte pa pasoja dhe këtu bëhet fjalë për ato financiare. Klubet nuk do të kenë mundësi të arkëtojnë të ardhura gjatë kësaj periudhe, ndërsa si për të mos mjaftuar kjo u duhet të paguajnë edhe një faturë të majme për shkak të rrogave të futbollistëve. Një situatë e tillë ka bërë që në Zvicër të zgjedhin opsionin më të keq, duke ndërprerë kontratat me futbollistët. Është pikërisht Sioni, i cili tashmë i ka dhënë fund edhe marrëveshjes se futbollistin shqiptar, Ermir Lenjani, që nuk ka pranuar të paguhet si një punëtor me kohë të pjesshme.

Por mos u habisni vetëm me këtë rastë, pasi në të njëjtën mendje janë edhe klube nga Liga e Parë e Francës apo nga Werder Bremen në Bundesligë. Sipas gaetarit të njohur Italian Gianluca di Marzio, Lioni dhe Amiens po shqyrtojnë seriozisht të ndërpresin deri në përfundimin e kësaj situate pagat e lojtarëve ose t’i pushojnë këta të fundit menjëherë. Këtij grupi i bashkohet edhe Montpellier, ndërsa një paralajmërim të tillë e dha edhe presidenti i Werder Bremen, në të cilin luan edhe sulmuesi dardan Milot Rashica./Sport Ekspres/