Eno Skarço ka folur për “Sport Magazine” sa i përket performancave të ekipeve shqiptare në Europë. Teksa diskutohet për Tiranën, gazetari është shprehur se gjithçka lidhet me merkaton e vonë dhe lojtarët që merren pa asnjë kosto të vetme. Mbi këtë arsye lidhet edhe mungesa e suksesit të ekipeve shqiptare në Europë.
“Vllaznia është për t’u përgëzuar për rezultatin që mori ndaj Craiovas. Ishte një ekip me buxhet më të madh, pritej edhe humbja nga ajo ndeshje. Por Vllaznia arriti që të dilte me barazim. Slogani i Gurishtës më pëlqeu para ndeshjes që tha se nuk kanë rëndësi buxhetet, në fushë dalin 11 lojtarë nga të dy ekipet. Këtë e tregoi fusha, loja ishte e barabartë, përkundër një epërsie të lehtë të rumunëve.
Nuk duhet të çuditemi nëse Vllaznia kalon më tej. Një precedent e kemi, Lacin, duhet të kapet fort pas saj. Megjithëse duhet thënë se Laci e fitoi ndeshjen e parë, ndërsa Vllaznia ka dalë barazim. Por Craiova e di më së miri se nuk fitoi gjithmonë ekipi që krijon më shumë raste. Më shumë raste do të krijonte me Lacin, por në fund u kualifikua Laci.
Tirana? Ka një problem, merkato nuk bëhet në kohën e duhur. Kur mbaron kampionati, pritet që të shihen goglat për shortin e Europës. Nëse rivali bie shumë i vështirë, atëherë nuk i futen fare merkatos. Kjo është problemi i ekipeve shqiptare në përgjithësi, janë me vonesë. Te Tirana nuk ka pasur përforcim në merkato, ka pasur dobësim. Iku Hoxhallari që mbante peshën e ekipit dhe Toli.
Kanë ardhur lojtarë të cilët ishin pa kontrata, nuk përforcohet grupi kështu. Unë kët e shoh si alarmin më të madh dhe arsyen që po na çon deri në këtë pikë, ku kemi vetëm Laçin që ka kaluar turin. Pra nëse ti pret që të marrësh vetëm ata lojtarët pa kontratë që e kanë zgjidhje nëse ti i pranon ti marrësh, atëherë nuk ke rezultate.
Ndonjëherë duhet edhe të paguash për kartonin, ndryshe kështu do të vepronte edhe bota mbarë. Në gjithmonë kemi vepruar me “ç’të ngeli”, nuk kemi marrë asnjëherë atë që duam. Problemi tjetër është mungesa e durimit që na shoqëron që të gjithëve, nga trafiku, te arritja në punë dhe arritja e objektivave. Asgjë nuk arrihet brenda ditës, kërkojnë kohën e tyre”, tha Skarco. /Sport Ekspres/