“Mos të lexojmë budallallëqet në media“, Gatuzo i del krahë Rrahmanit: Më erdhi keq, do i ketë shanset e tij

Amir Rrahmani debutoi në mënyrën më të keqe si titullar te Napoli, ku fali golin e barazimit për Udinezen, pavarësisht se në fund Bakajoko shpëtoi skuadrën dhe i dha fitoren me rrjetën e tundur. Ky gabim bëri që Gatuzo ta largonte mbrojtësin shqiptar nga fusha pas vetëm 45 minutash, ndërsa vlerësimi për lojën e tij nga mediat padyshim që nuk ishte i lartë.

Në përfundim të ndeshjes, trajneri i Napolit ka folur për mikrofonin e “Sky Sports“, ku i del krahë Rrahmanit, për të cilin thekson se është një profesionist i shkëlqyer që shanset te Napoli nuk do i mungojnë as pas këtij gabimi. Më tej shton se lojtarët e tij duhet të largojnë vëmendjen nga ajo çfarë në media shkruhet për ta, pasi presioni në këtë aspekt në një klub si Napoli është i lartë.

“Më vjen keq për Rrahmanin. Ai është një profesionist i shkëlqyeshëm, por ishte në telashe dhe unë duhet të bëj zgjedhje. Ai do të ketë ende shanset e tij, por sot preferova ta heq në gjysmë të ndeshjes. Të rinjtë e sotëm duhet të mësojnë të përdorin teknologjinë më mirë, sot ne lexojmë shumë në celular. Tashmë është e vështirë të luash në një ambient si Napoli, një ambient në nivelin e Romës për shumë radio, shumë portale.

Ne duhet të mendojmë për fushën në vend që të lexojmë budallallëkun që thonë përreth. Nëse qëndrojmë në rrugën e duhur, përsëri mund të përmirësohemi. Ne jetojmë në një vend që nuk është i lehtë dhe do të duhet të përmirësohemi për këtë”, ka deklaruar Xhenaro Gatuzo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *