“Mos shko te Juventus, shiko Ruganin”/ Ndihmësi trajneri i Shqipërisë i jep këshillë Kumbullës: Do ishte më qetë te Interi

Nga Klaudio Ndreca

Marash Kumbulla është kryefjala mediatike kur flitet për legjionarët shqiptarë. Për mbrojtësin në fjalë interesohen klubet më të mira në Itali, ndërsa së fundmi është futur në garë edhe Juventusi. Por ku do të shkojë në merkaton e verës? Një fjalë i është dhënë edhe Interit, megjithëse pa firmosur dhe zyrtarizuar asgjë.

Ndihmës-trajneri i Rejës te Shqipërisë, Sergio Porrini, në një intervistë për “TuttoJuve” i ka bërë edhe sygjerimin e tij Kumbullës. Për ta nisur që me skemën që përdorë te Verona, duke ia qartësuar se do e ketë të vështirë të shprehet në një ekip që nuk luan me tre mbrojtës. Gjithashtu edhe duke parë konkurrencën, si zgjidhje më e mirë do të ishte transferimi te Interi ose Lacio, por jo te Juventusi.

“Ne filluam ta vëzhgonim atë në fillim të sezonit, kur vumë re se Juric po niste ta përdorte. Gjykimi ishte menjëherë pozitiv, për këtë arsye vendosëm ta thërrisnim Kumbullën në ekipin kombëtar dhe ai gjithashtu arriti të bëjë debutimin e tij.

Kumbulla është një djalë me perspektivë të shkëlqyeshme, shpresoj se mund të vazhdojë të bëjë mirë te Verona. Unë nuk jam i befasuar që shumë ekipe të njohura e kërkojnë për cilësitë e tij, megjithëse është vetëm njëzet vjeç dhe po dëshmon të jetë një mbrojtës i shkëlqyer. Duke pasur vetëm një pjesë të sezonit në nivele të larta, është ende herët të thuhet nëse Marashi “mbijeton” në një klub të lartë. Shpresoj që këto thashetheme nuk do ta shpërqendrojnë.

Këtë vit Kumbulla është duke u shprehur shumë mirë në skemën me tre mbrojtës, ka luajtur si qendror ashtu edhe i jashtëm në këtë lloj mbrojtjeje. Asnjëherë nuk është e lehtë të adaptohesh me një sistem të lojës së ndryshme, ne po e shohim atë për shembull me ata që u larguan nga Atalanta si Mancini dhe gjithashtu në Juventus, Bonuci dhe Chiellini të cilët ishin duke luftuar në periudhën e Ranierit, Ferraras, Zaccheronit dhe Delnerit, pastaj me ardhjen e Contes dhe shtesën e Barzagli ishin në gjendje të shpreheshin në maksimum. Më pas, kur ata konsoliduan dhe kuptuan forcën e tyre, treguan se mund të luanin shumë mirë në të dy mënyrat

Personalisht Kumbullën e shoh te një ekip që luan me tre mbrojtës, do të ishte i qetë. Për këtë arsye është më mirë te Interi ose Lacio, do të kishte më pak konkurrencë. Ndërsa te Juventusi do të rrezikonte të luante më pak, si po ndodh edhe me Ruganin”, ka thënë Porrini. /Sport Ekspres/

.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *