Skënderbeu ka zyrtarizuar një transferim të ri në skuadër, duke marrë në gjirin e tij mesfushorin 18-vjeçar Agon Elezin. Ky i fundit ishte pjesë e të rinjëve të Caenit dhe përfaqëson të rinjtë e Maqedonisë së Veriut, madje duke marrë edhe shiritin e kapitenit te U-19 e këtyre të fundit.
Një futbollist që i sjell më tepër cilësi grupit të lojtarëve që drejtohen nga trajneri Ilir Daja. Faktikisht Agon Elezi u vendos para disa kohësh në qendër të kritikave në përfundim të ndeshjes mes Maqedonisë së Veriut U-19 dhe Shqipërisë U-19.
Rezultati do të mbyllej me rezultatin 2-1 në favor të Maqedonisë së Veriut me golin e fitores që erdhi nga Elezi. Në fund do të postohej edhe një foto me festën e madhe për fitoren e arritur ndaj Shqipërisë U-19, por nuk do të mungonte edhe sqarimi nga ana e vetë futbollistit:
“Ne jemi profesionist dhe unë nuk jam gëzuar për faktin që i shënova Shqipërisë, por për faktin që kam shënuar gol. Kjo do të jetë mirë për karrierën timë në vijim. Jam ndjerë shumë keq që i shënova Shqipërisë dhe ju betohem për këtë. Pas lojës jemi ndarë miqësisht me gjithë lojtarët e Shqipërisë dhe me disa nga ta jam bërë shok. Me Armando Brojan e Chelseat shkojmë shumë mirë. Por edhe me trajnerin e nderuar Nevil Dede, u përqafuam pas lojës dhe patëm një bisedë të këndshme.
Në ndeshjen e parë në Korçë, publiku po na ofendonte shumë dhe lojtarët maqedonas mundoheshin të ktheheshin nga tribuna dhe t’i shajnë. Isha unë ai që nuk i lejoja duke thënë: “Mos e shani Shqipërinë”. Si kapiten që isha, nuk e lejoja të shahej Shqipëria. Jo vetëm Shqipëria, por asnjë shtet tjetër. Ne jemi profesionist dhe vetëm duhet të luajmë në fushë”, do të shprehej Elezi. /Sport Ekspres/