Erbim Fagu ishte i ftuar në emisionin “Rubrika Sportive“ në “RTSH“, ku ka folur për ecurinë e ekipit të tij, Tiranës. Zëvendës trajneri i bardhebluve nuk është i kënaqur me paraqitjet e bëra në këto 4 javë të parë, teksa ishte i mendimit se skuadra duhej të ishte më mirë nga ç’është shfaqur.
“Ndeshjet e forta të japin impenjimin e duhur për të marrë pikët. Nuk jemi aty ku duhet, mendoja të ishim më mirë. Kemi një skuadër me kualitet, kanë cilësi në këmbët e tyre. Mungesa e fushës së mirë na ka penalizuar, por kjo nuk duhet të shërbejë si një alibi.
Vinim nga dy barazime dhe dukej sikur besimi ishte humbur. Ndaj Laçit u treguam agresivë, ndryshe nga tri ndeshjet e tjera. Laçi ka një skuadër të mirë. Një fitore ndaj një skuadre të tillë e në një fushë të tillë na jep besim”, ka thënë Erbim Fagu./Halit Delibashi-Sport Ekspres/