Të përjetosh derbin si tifoz është ndryshe në krahasim me ta përjetosh atë si president, por emocioni i kësaj përballjeje është gjithmonë i njëjti. Megjithatë, të dielën, përveçse një ndeshjeje që të gjithë duan të fitojnë, është e nevojshme të konsiderohen edhe “piketat” për të ardhmen. Interi dhe Milani do të përballen duke “hapur kartat” dhe nivelin e tyre. Zikaltërit janë në kërkim të konfirmimeve, ndërsa kuqezinjtë të një rikthimi te suksesi, pas një starti shumë të vështirë të sezonit. Kështu, qoftë nga njëra anë, ashtu edhe nga ana tjetër, thithet aroma e derbit, por edhe e së ardhmes. Të dyja skuadrat do të kuptojnë sesa e mirë ka qenë puna e bërë deri tani. Masimo Morati është gati të shijojë derbin e Milanos si spektator i interesuar, por nuk i lë asgjë rastësisë.
“Besoj se ndeshja do të hapë kartat, – ka thënë ish-pronari i zikaltërve, i pyetur përpara zyrave të tij. – Mbi të gjitha ka pritje për të kuptuar se në çfarë niveli ka arritur Interi pas fillimit bindës të sezonit. Do të kërkoj të kuptoj forcën e skuadrës dhe më duket se Spaleti ka arritur të transmetojë soliditet të madh. Milani? Nuk kam frikë askënd në mënyrë të veçantë, ndoshta ata do të mbajnë Perisiçin që mund të vendosë një ndeshje. Në përgjithësi besoj se do të fitojë kush do të ketë më shumë karakter dhe zemër, teksa ndërmjet trajnerëve, ai që do të vendosë në fushë lojtarët në mënyrën më të mirë”. Ndërsa, nuk ka dashur të bëjë asnjë polemikë me deklaratën e Fasones, që ka thënë se Interi është “si një vajzë e bukur, por naive”. “Nuk i përgjigjem”, ka thënë shkurt Morati.