“Moratës i ra të fikët pas ndeshjes”, trajneri i Juventusit: Ia shërbyem Portos në pjatë argjendi

Andrea Pirlo ka folur pas ndeshjes që Juventusi humbi në shifrat 2-1 kundër Portos. Bardhezinjtë ia vështirësuan më tepër punën vetes për t’u kualifikuar më tej në “Champions League”. Megjithatë goli i realizuar nga Chiesa ka lënë gjithçka të hapur me ngushtimin e diferencës.

Çfarë nuk shkoi me Juventusin? Pirlo e thotë qartë: “Goli i falur nga gabimi i Bentakur”. Kaq ka mjaftuar që të zhvillohej ndeshja e Portos dhe jo e kampionëve të Italisë. Trajneri i bardhezinjëve është shprehur gjithashtu se Moratës i ka rënë të fikët në përfundimin e takimit.

“Kur pëson gol në minutë të parë, normalisht që je i frikësuar dhe nuk ke siguri. Futbollistët janë të dëshpëruar se morën një gol të çuditshëm. Në këtë moment u vendos ndeshja që donte të luante Porton dhe prandaj u bë shumë e vështirë. Nuk është e lehtë që të mbash të njëjtin ritëm.

Morata? Nuk ishte mirë edhe para ndeshjes, ka pasur probleme. Kishte disa ditë që nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë, hyri kur kishim nevojë dhe pas ndeshjes u shtri, i ra të fikët.  Nëse flasim për ndeshjen me Porton më duhet të them se e kishim përgatitur mirë, ndryshe nga ajo që u paraqit në fushë. Ne e dinim që do të mbylleshin mbrapa në mbrojtje. Ishte loja që po kërkonin dhe ne ua servirëm në një pjatë argjendi”, tha Pirlo. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *