Mauro Ikardi ka zbritur në Francë dhe ka shkuar në zyrat e klubit të PSG-së, atje ku ka kryer testet mjekësore dhe ka firmosur kontratën e re. Marrëveshja është arritur, ndërsa Interit i është larguar futbollisti më i komentuar i gjithë këtyre kohëve.
Shumë herë nuk e kanë dashur, shumë herë i janë vendosur kundër, por Ikardi arrinte t’i fitonte sërish zemrat tifozëve me golat e tij. Ishte si një dashuri e cila nuk duhej të ndihej, për asnjë arsye, por ishte e nevojshme. Kjo pasi nëse Interi arrinte të fitonte një ndeshje të madhe, apo edhe normale, shënonte gjithmonë…argjentinasi!
Në një nga momentet e shumta kur Ikardit i dolën kundër zikaltërit, do të vinte edhe një letër dashurie. Dikur, të gjithë janë marrosur pas saj. Fjalë të bukura që nisinin me: “Në momentet më të vështira, tregohet dashuria e vërtetë”.
Por qesharake duket fakti se në të bëhet edhe shumë moral rreth respektit, sakrificës dhe dashurisë për ngjyrat zikaltër. Në fund? Pa kaluar ende mirë një vit, do të largohej mes urrejtjes së madhe, pasi hodhi në gjyq klubin e tij për mënyrën sesi po menaxhonte situatën e largimit. Nëse njerëzit ndryshojnë, Ikardi e bën këtë fazë tmerrësisht shumë shpejt, brenda një kohe farë të shkurtër.
Letra e plotë, 28 shkurt 2019
“Në momentet më të vështira, tregohet dashuria e vërtetë. Në këto momente unë kam vendosur të qëndrojë te Interi, me Interin. Gjithmonë kam vendosur të qëndroj për këto ngjyra. Kam refuzuar oferta që një lojtar profesionist vështirë se do i kishte refuzuar. Kam luajtur me dhimbje fizike që më kanë dërguar në lot pas ndeshjes dhe ditë të gjitha pasaradhëse. Duke zbritur në fushë, kam arritur të harroj çdo dhimbje me qëllimin e vetëm për t’i dhënë gjithçka mundem dhe për të ndihmuar këto ngjyra. Por gjithmonë kam kërkuar që të hyjë në fushë, madje edhe kundër këshillëve të mjekëve. Me Interin, për Interin. Për dashurinë e këtyre ngjyrave. Sepse është Interi. Unë i kam mësuar fëmijët e mi se fitorja është e vështirë, por duke e arritur atë merr një kuptim unik. Kjo pasi vetëm një interist i vërtetë mund ta kuptojë dhe ndiejë. Për dashurinë mund të vendosni gjithçka, por respekti nuk duhet të dështojë kurrë. Këto janë ngjyrat e mia. Këto janë ngjyrat për të cilat unë kam bërtitur. Me Interin, për Interin” /Sport Ekspres/