Skena të pabesueshme u panë në Madrid në fund të ndeshjes, ku Atletico Madrid mbeti pa një vend në fazën eliminatore të Champions League sepse Yannick Carrasco humbi mundësinë për të shënuar nga 11-metërshi. Atletico Madrid dhe Bayer Leverkusen barazuan 2-2 dhe në fund kjo nuk i mjaftoi skuadrës së Diego Simeones, prandaj Porto do të kalojë në 1/16. Skenat nga ndeshja e mbrëmshme në Madrid do të fliten gjatë për faktin se gjyqtari Turpin fillimisht vërshëlleu fundin e ndeshjes, e më pas për shkak të një bisede nga dhoma e VAR-it vendosi t’i kthejë lojtarët në fushë dhe të jepte një penallti për Atleticon.
Vetëm atëherë filloi drama. Carrasco mori topin dhe mori përsipër të gjitha përgjegjësitë, por gjuajtja e tij u ndalua nga portieri Hradecky. Pas ndeshjes, në konferencën për shtyp të Atletico Madridit pati shumë tension dhe gazetarët spanjollë e pyetën Simeonen se pse Carrasco e ekzekutoi penalltinë kur dihet se Antoine Griezmann është ekzekutuesi i tyre. Ndërkohë trajneri shpjegoi se lojtari kishte besim të madh te vetja dhe shkoi që të merrte menjëherë topin. /Sport Ekspres/