Presidenti ka kërkuar gjatë pjesës së parë që stafi të ndryshojë modulin e lojës. Tërbohet braziliani…
Gjithçka është e vërtetë! Presidenti Refik Halili dhe Ze Maria, blerja më e madhe e Tiranës në verë, mund të ndahen më shpejt se premtimi i dhënë më 17 qershor, madje pa nisur mirë kampionati. Shkak janë bërë problemet që dolën në pah në miqësoren me Dinamon. Në mes të pjesës së parë, presidenti Halili dërgoi një “korrier” në stolin bardheblu.
Burime të Sport Ekspres bëjnë me dije se Halili kishte mbetur i pakënaqur nga moduli i lojës. Ai i ka kërkuar trajnerit që të ndryshojë mënyrën e lojës dhe të luhej me katër mbrojtës. Në fillim Ze Me Maria është tërbuar dhe ka braktisur dhomat e zhveshjes. Për shumë kohë ai ka qenë i irrituar dhe u ka shfryrë bashkëpunëtorëve të tij dhe stafit. Më pas ka dashur të replikojë me presidentin, por i ka plotësuar dëshirën dhe është luajtur me katër mbrojtës, ndërsa në fund e ka thumbuar Halilin me shprehjen: ”Luajtëm me tre mbrojtës dhe pësuam gol me katër mbrojtës”.
Ze Maria mësohet se mezi është qetësuar dhe e ka konsideruar këtë çështje si ndërhyrje në kompetencat e tij. Në ditët në vazhdim mund të ketë edhe një takim për të sqaruar situatën. Gjithsesi, tensioni edhe në distancë ka qenë i madh, sepse Halili është zhgënjyer edhe nga merkatoja që ka bërë trajneri i Tiranës, që sipas tij janë zhgënjim më vete dhe ky është faji i përzgjedhësit që në këtë rast është braziliani. Zhoze Marselo Ferreira, shkurt Ze Maria, ka kërkuar që pas ndeshjeve të Europës dy sulmues te Tirana, ndërkohë që njërin e ka afruar nga Brazili.
Eder Paulista është vënë nën urdhrat e tij dhe ajo që vihet re është se për momentin është jashtë forme, kjo pasi vjen nga një periudhë pushimi dhe do i duhet kohë të fitojë formën fizike. Aktualisht i duhet të punojë fort, pasi ka edhe kilogramë të tepërta. Kjo lëvizje i ka bërë drejtuesit që të rrudhin buzët dhe të nisin të shfaqen pakënaqësitë e para për afrimet që Ze Maria ka bërë në merkato. Paulista në fakt i ka shtuar ato, pasi lëvizja e parë, afrimi i mbrojtësit Uellison është ajo që i ka zhgënjyer më shumë drejtuesit e klubit. Paraqitjet e 23-vjeçarit kanë qenë larg pritshmërive në Kupat e Europës ndaj Makabit të Tel Avivit, ndërkohë që edhe gjatë miqësoreve nuk ka bërë mirë. Katër gola në dy ndeshje miqësore tregojnë më së miri për problemet në prapavijë dhe Ze Maria ka kërkuar të paktën edhe një tjetër qendërmbrojtës, pasi duket se edhe vetë ai e ka kuptuar se Uellison nuk është ai që ka pritur.
Shkurt, situata tek Tirana është e nderë mes trajnerit dhe presidentit, ndonëse “dashuria” e tyre dukej se ishte nga ato që do të zgjaste shumë. Qartësisht, palët janë shumë larg, saqë skuadra e mbuluar nga milionat e merkatos dhe shumë futbollistë tani është katandisur në vetëm një grusht lojtarësh që po sjell pakënaqësitë e para si te trajneri, klubi por edhe tifozët.
Tek fjalia e fundit behet fjale per kenaqesite e para apo “pakenaqesite e para” ? Qe te kete te kenaqur kete nuk mund ta besoje njeri por qe brazilianet qe ka sjelle zizuja edhe per kategorine e katert ne shqiperi nuk bejne kete e kuptojne edhe ata qe nuk e njohin futbollin. Me kete menaxhim dhe lojtare qe po afron tirona nuk ka as edhe nje shans te rikthehet ne superlige. Refiku vazhdon te beje gafa dhe te shkaterroje gjithcka ende pa nisur
E drejtë: Pakënaqësitë e para,. Faleminderit