Nga Klaudio Ndreca
Edon Zhegrova është vetëm 21 vjeç dhe ende në pritje për të arritur kulmin e tij të karrierës. Aftësitë nuk i mungojnë, por disiplina dhe sjellja lë shumë për të dëshiruar. Këto arsye kanë bërë që sulmuesi në fjalë, pavarësisht krahasimeve me Mesin dhe driblimeve si arma më e fortë, të mos mbahet gjatë nga një skuadër.
Nga Genk do të largohej në huazim për këtë arsye, pasi trajneri në Belgjikë kërkonte futbollistë që të luanin me skuadrën, e jo vetëm të kërkonin aksione personale. Për të vazhduar me Bazelin, ku edhe zviceranët nuk u bindën për të blerë kartonin e këtij lojtari.
Ndërkohë në një intervistë të fundit për “Telegrafi Sport”, Zhegrova e tejkalon shumë limitin me “modestinë” e tij. Kur pyetet se kë fanellë ka aktualisht në shtëpi, nga kundërshtarët, ai shprehet: “Të them të drejtën, nuk i kam kërkuar kurrë një futbollisti që të ndërrojë fanellat. Madje më ndodhë që në Europa League dhe në Zvicër, të jenë ata që kërkojnë fanellën time. Kjo është gjë e mirë se më vlerësojnë për atë që jap në fushë”, thotë Zhegrova. /Sport Ekspres/