Trajnerët në Shqipëri janë gjithnjë me valixhe në duar, teksa nëse nuk bindin në pak kohë mund të largohen menjëherë nga stoli. Klubet në Superiore ndodh shpesh të mos e mbyllin sezonin me të njëjtin trajner që e nisin. Diçka të tillë e thekson edhe trajneri shqiptar Gugash Magani. Ky i fundit ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në “Ora Sport”, ku është shprehur se trajneri duhet respektuar. Magani kritikon mensxhimin që i është bërë Partizanit në këtë drejtim dhe nxjerr si shembull për të tjerët modelin e Skënderbeut, të cilin e cilëson si unik.
“Gjërat janë zbutur këto vitet e fundit por ka qenë shumë e vështirë për trajnerët. Ata iknin vetëm me një sms apo telefonatë. Pozicioni i trajnerit duhet respektuar shumë pasi është numri 1 i klubit nga ana e teknikës. Atij i jepet besimi të bëjë gjithçka. Ka pasur shumë probleme. Jo për çdo gjë fajësohet trajneri. Për Partizanin, rënia filloi që në verë. Një trajner që del kampion dhe nuk i jepet mundësi sërish nuk është e drejtë. Kjo edhe për lojtarët. Modeli i Skënderbeut ka qenë unik në Shqipëri në këto 5-6 vite të tjera. Unë shoh një Partizan që nuk ka uri fare këtë vit”, ka thënë Gugash Magani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/