Kontrata e Toni Krosit përfundon në verën e ardhshme dhe ende nuk është gjetur një akord për rinovimin. Te Reali i Madridit janë të qartë, e duan gjermanin në “Santiago Bernabeu” edhe për shumë vite në vazhdim. 32-vjeçari është mjeshtri i mesfushës së madrilenëve, duke qenë një nga pikat kyçe në sukseset e jashtëzakonshme të klubit spanjoll në vitet e fundit.
Mbrëmjen e djeshme Kros shënoi golin e tij të parë për këtë sezon. Një gol spektakolar që rrëmbeu duartrokitjet e tifozëve të “los blancos”. Menjëherë pasi përfundoi takimi, Florentino Perezi shkoi në dhomën e zhveshjes për të përgëzuar skuadrën dhe mesfushorin gjerman në veçanti.
“Nuk mund të largohesh Toni, ti je në Madrid edhe për një tjetër vit. Shënove një gol të shkëlqyer…”, kanë qenë fjalët e Perezit, që dukshëm kërkon rinovimin. Dashuria nga ana e presidentit të madrilenëve nuk mungon, tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Toni Krosit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/