Specialisti i mjekësisë sportive pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve: Duhet të heqë dorë nga 3000 metra me pengesa, dëmtohet pa masë
Gjergj Vyshka
Dëmtim kronik dhe heqje dorë nga gara e 3000 metrave me pengesa, edhe pse është nënkampione e Evropës në vitin 2016 në Amsterdam me kohën 9’28”52. Këto janë dy gjërat thelbësore të intervistës që RTSH Sport ka realizuar me doktorin sportiv Mel Ostreni, që është njëkohësisht specialist i mjekësisë sportive pranë Agjencisë së Shërbimit të Sporteve. Një intervistë që Sport Ekspres është duke e sjellë të plotë për të kuptuar masën e dëmtimit, gatishmërinë e atletes për të vrapuar, nëse është i dyshimtë apo jo si dëmtim, dhe rrezikshmëria që vjen pas këtij dëmtimi. Tashmë Gega është në regjim shtrati të paktën për dy javë, ndërsa sipas Ostrenit vetëm në ditët e para të shtatorit mund të nisi aktivitetin e saj normal. Sa për Maratonën e Tiranës më 18 tetor, gjithçka varet nga gjendja fizike e sportistes, e cila tashmë duhet të vendosë për një tjetër disiplinë në atletikë. Sepse do të jetë e ashpër në mendim dhe i shpejtë si konkluzion t’i thuash të heqë dorë krejtësisht nga ky sport. Ja dhe intervista e doktor Mel Ostrenit për Luiza Gegën dhe dëmtimin e saj.
-
- Doktor në çfarë gjendje ka ardhur pacientja Luiza Gega dhe si është diagnostikuar?
- Duke marrë shkas nga aludimet e shtypit të shkuar dhe atij viziv më duhet them se pacientja Luiza Gega, atletja jonë e mirënjohur, ka ardhur në një gjendje të një dëmtimi kronik të këmbës sidomos të pjesës së shputës së saj. Pas vizitës sime iu rekomandua dhe një rezonancë për ta bërë më të qartë dhe diagnozën. Për më tepër kemi bërë dhe një konsultë me ortopedët e spitalit Vila Maria, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën që më dhanë. Sepse na ndihmuan përsa i përket diagnozës përfundimtare të saj. Luiza Gega ka një dëmtim të muskujve të pulpës, të cilat bëjnë mbërthimin e gishtave në pistën e tartanit dhe që nuk e lejon të vrapojë normalisht sepse i shkakton dhembje. Kjo nuk është se është shkaktuar tani, por është diçka kronike që ka zgjatur gjatë gjithë kësaj kohe. Madje ka ardhur dhe disa herë të tjera në klinikën tonë, por ka pranuar që të garojë dhe me dhimbje në një kohë që duhet të bënte pushim për të paktën një muaj. E një pushim i tillë i binte që të hiqte dorë nga aktiviteti i këtij sezoni.
- A vihet në dyshim dëmtimi i saj?
-
- Në asnjë mënyrë jo. Ashtu sikurse në rastin e Klodiana Shalës në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, e cila pati një temperaturë febrile për shkak të një substance kontrasti kur bëri rezonancën manjetike, edhe në rastin e Luiza Gegës duhet pranuar se ka një dëmtim. Aq më tepër që është një dëmtim i këmbës tjetër dhe jo i asaj që ka dëmtuar në Brazil vitin e kaluar. Duhet të dini që në mënyrë reflektore truri i njeriut mbron këmbën e dëmtuar dhe si rrjedhojë e gjithë pesha ka rënë në këmbën tjetër. Fatkeqësisht për Luiza Gegën ka rezultuar fatale kjo gjë, pasi mbingarkesa funksionale ka shkaktuar praktikisht këtë dëmtim që mund të ketë ardhur dhe nga numri i madh i garave këtë vit. Një sugjerim për të që ajo duhet të planifikojë se cilat janë garat kryesore, sepse ajo nuk mund të përballojë të gjitha garat që i duhen një sezoni të atletikës me sëmundjen që ka.
- Nga se vjen ky lloj dëmtimi, është pjesë e stërvitshmërisë, apo nuk mban më fiziku i saj?
-
- Ky është një dëmtim që ne e klasifikojmë si mbingarkesë funksionale jo vetëm e stërvitjes, por dhe e garave. Gara është ajo që e dëmton më tepër në krahasim me stërvitjen që bën. Unë do të theksoja që fati i keq është i Luiza Gegës, që për fat të keq e ka bërë kronik këtë dëmtim. Dhe për rrjedhojë herë pas herë bën të tilla dëmtime. Këto dëmtime nuk janë vetëm të Luiza Gegës, por dhe të kampionëve të mëdhenj, të cilët heqin dorë nga garat ku marrin pjesë.
- Ky dëmtim që pati përpara Botërorit erdhi dhe si rrjedhojë i atij që bëri në maj në Diamond League në Shangai?
-
- Natyrisht që këto dëmtime lënë gjurmë tek artikulacionet sidomos tek këmbët, ndërsa Luiza është një atlete e mirënjohur, e më pas vijnë e shumohen si pasojë e mbingarkesës që kanë gjatë gjithë kësaj periudhe deri në Kampionatin Botëror. E për rrjedhojë ajo nuk mund të merrte pjesë dhe menjëherë, edhe me konsultën e ortopedëve të Vila Marias i bëmë dhe një sugjerim nëpërmjet reset protokoll. Që është pushim, mbajtja e këmbës lart dhe vënie shumë e pakët në tokë për dy javë. Kjo do të thotë që Luiza Gega mund t’i rikthehet aktivitetit të saj normal në ditët e para të shtatorit.
- Megjithatë thuhet dhe pritet se do të marrë pjesë dhe në Maratonën e Tiranës. Sa garanci ka?
-
- Nga pikëpamja biofizike Maratona ndryshon nga 3000 metra me pengesa, ku ajo edhe si rezultat i shtatit të shkurtër të saj bëj një hedhje tej mase dhe një rënie në tokë që është jashtëzakonisht e dëmshme për diagnozën që ka. Ndoshta Maratona mund të mos jetë kaq e dëmshme sa 3000 metra me pengesa. Unë mendoj se duhet të përqendrohet në gara të tjera dhe jo në 3000 metra me pengesa. Sepse kjo garë e dëmton më tepër se të tjera
- … që do të thotë se duhet të heqë dorë nga 3000 metra me pengesa?
-
- Ne si mjekësi mendojmë se duhet të heqi nga kjo lloj tip gare, e cila e dëmton pa masë
- Së fundi, nëse do të ishte kapur përpara kohe ky dëmtim Luiza Gega a do të ishte në Botëror?
- Këtë nuk mund ta them me përpikmëri, sepse është një dëmtim kronicizues, i cili herë pas herë të jem dhembje dhe kur ka dhembje ndalon aktivitetin. Ajo e ka vazhduar aktivitetin sepse ose ka ndjerë pak dhimbje, ose e ka kaluar dhimbjen. Por vjen një moment që atletja nuk më as durim e as forcë për t’i përballuar ato, apo të ngadhnjojë mbi dhimbjen. Kështu që detyrohet të tërhiqet.