Në ndryshim nga Xhani de Biazi, pasuesi i tij dëshiron që futbollistët të mos mbërrijnë të pamotivuar, edhe pse në një test. Edhe Suedia e Çekia alternativa
Anton Cicani
Dikur, Shqipëria kënaqej duke luajtur kundër rivalësh që në letër të ngjanin me “ekipe lagjesh” (me gjithë respektin) dhe ndoshta kjo shërbente për të plotësuar programin e FIFA-s. Megjithatë, me kalimin e kohës, kjo strategji ka ndryshuar dhe, tashmë me ardhjen e Panuçit, është evidentuar edhe më shumë, aq sa ka preferuar të luajë vetëm një miqësore dhe jo dy, pasi i interesonte një “serioze dhe e fortë”. Sakaq, në konferencën e djeshme për shtyp, u shpreh: “Kam refuzuar një alternativë, sepse dua një miqësore serioze. Dua që lojtarët të përgatiten mirë dhe do të bëjmë ftesë për 2-3 kombëtare që kam në mendje.
Do të shohim ndërkohë edhe për lojtarë të tjerë, si do të reagojnë në miqësoren e ardhshme. Dua të kem përballë një kombëtare të fashës së dytë, jo ndër më të fortat në botë, por gjithashtu jo të dobëta”. Kristian Panuçi ka lë kuptohej se përballë kundërshtarë të dobët, kurrë nuk mund të fitosh eksperiencë dhe të përmirësohesh. Sipas asaj që ka zbuluar “Sport Ekspres”, ka qenë Andorra skuadra që është ofruar për një miqësore në mars, në kuadër të përgatitjeve për eliminatoret e Europianit 2018, por italiani ka refuzuar dhe tashmë FSHF është në bisedime me kombëtare si Suedia, Çekia dhe Rusia, ndërsa nuk duhet përjashtuar edhe një miqësore me Danimarkën apo Sllovakinë e Uellsin, duke qenë pjesë e fashës së dytë të Kupës së Kombeve.