Mirel Josa është zëvendësuar brenda 24 orësh te Prishtina, ose më mirë pa kaluar kjo kohë. Në mëngjesin e sotëm do të dilte edhe njoftimi zyrtar i klubit, që shprehej se ishte mbyllur marrëveshja me trajnerin shqiptar.
Ndërkohë në pasditen e sotme, presidenti i klubit, Remzi Ejupi, ka konfirmuar për “Gazeta Olle” se do të jetë Bylbyl Sokoli trajneri i ri. Nëse mund të quhet kështu, pasi e ka drejtuar edhe më herët Prishtinën, duke u larguar për të njëjtën arsye si Mirel Josa, pas pakënaqësisë së tifozëve me mungesën e rezultateve.
Karriera e Sokolit flet edhe për derdhje të gjakut për shkak të detyrës. Madje kjo do të ndodhte vetëm disa kohë më parë, në tetor të vitit të kaluar, teksa ishte trajneri i Llapit. Teksa do të humbiste me rezultatin 1-2 nga Prishtina, në një ndeshje shumë të tensionuar, disa persona të paidentifikuar do ta prisnin përpara shtëpisë së tij trajnerin duke e therrur me thikë. Fatmirësisht nuk kishte asgjë serioze për Sokolin, që mori ndihmën e shpejt të mjekëve. /Sport Ekspres/