Miqësoret me Lihtenshtejnin/ Trajneri Ahmataj zbardh listën me emrat e 20 kuqezinjve të ftuar në Kombëtaren U-19

Kombëtarja shqiptare U-19 nis sot grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore ndaj Lihtenshtejnit që do të luhen më 9 dhe 11 gusht në “Shtëpinë e Futbollit”.

Trajneri Julian Ahmataj ka ftuar 20 futbollistë për këto dy dy teste të rëndësishme, me ekipin që po përgatitet për kualifikueset e Europianit të kësaj grup-moshe që zhvillohen në muajin nëntor.

Tekniku shqiptar do të ketë në dispozicion të gjithë elementët më të spikatur të kësaj grup-moshe, teksa 10 lojtarë vijnë nga klubet shqiptare si Skënderbeu, Tirana, Laçi, Teuta, Partizani e Dinamo dhe 10 prej tyre aktivizohen në klube të huaja si Empoli, Burnley, etj. Shumë prej tyre kanë qenë edhe më parë pjesë e ekipit U-19 dhe janë futbollistë që premtojnë shumë për të ardhmen e Shqipërisë.

Skuadra do të grumbullohet pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa stërvitjet do t’i zhvillojë në Shtëpinë e Futbollit. Ndeshja e parë e Kombëtares U-19 e drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj është planifikuar të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” më 9 gusht duke nisur nga ora 17:30, ndërsa takimi i dytë është programuar të luhet dy ditë më vonë, më 11 gusht po në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në ora 10:00.

Këto miqësore ndaj Lihtenshtejnit janë një mundësi e mirë për të kolauduar skuadrën në kuadër të impenjimeve në kualifikueset e Europianit “Rumani 2025” për këtë grupmoshë që do të luhen në vendin tonë në muajin nëntor. Shqipëria është pjesë e Grupit 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën ‘Elite Round’.