Miqësoret e Skënderbeut nisin me Bursasporin

Korçarët do të kenë 3 teste në Antalia, dy me skuadrat vendase të Bursasporit dhe Beshiktashit, si dhe një me rumunët e Vitorul Konstancës

Leonard Trebicka

“Sport Ekspres” ka mësuar dje tre kundërshtarët e Skënderbeut në miqësoret e muajit janar në Antalia të Turqisë. Burime pranë klubit bardhekuq kanë bërë me dije se kundërshtarë do të jenë dy skuadra të mëdha turke dhe një rumune. Sigurisht, janë zbuluar edhe datat kur do të luhen këto ndeshje miqësore. Pak ditë më parë është zbuluar njëri prej kundërshtarëve të Skënderbeut, Beshiktashi, ndërsa dje është mësuar se dy kundërshtarët e tjerë janë Bursaspori dhe Vitorul Konstanca. Sipas radhës, gazeta zbulon se miqësorja e parë do të jetë më 8 janar, 4 ditë pas mbërritjes në Turqi. Korçarët do të kenë përballë në këtë datë një ekip me emër në Turqi, siç është Bursaspori, që renditet pas 16 javësh të kampionatit në vend të 8-të. Katër ditë më vonë, më 12 janar, Skënderbeu do të ketë përballë Beshiktashin, që për momentin renditet në vend të katërt, por tri pikë larg Bashakshehirit që kryeson kampionatin. Ndeshja e fundit miqësore e korçarëve në Turqi është ajo me rumunët e Vitorul Konstanca. Ky ekip renditet në vend të 6-të të kampionatit rumun. Këto janë tre përballjet zyrtare të Skënderbeut gjatë ditëve të qëndrimit në Antalia. Tri miqësore luksi dhe njëkohësisht teste të rëndësishme përpara kthimit në Shqipëri. Korçarët njohin mirë Beshiktashin, me të cilin janë ndeshur dy herë dy vjet më parë, në grupet e Europa Legue.

FAZA PËRGATITORE – Pas së premtes, kur do të luhet ndeshja me Teutën, Skënderbeu do të fillojë zyrtarisht pushimet, që do të zgjasin deri më 3 janar 2018. Në këtë datë skuadra do të grumbullohet në resortin “Tropikal” në Durrës dhe më 4 janar do të niset për në Antalia, ku do të akomodohet në një prej komplekseve më moderne. Korçarët do të qëndrojnë në Antalia deri më 17 janar 2018. Ata do të zhvillojnë një minifazë dyjavore në Turqi, ku janë planifikuar tre miqësoret e mësipërme. Përveç këtyre testeve, trajneri Ilir Daja ka planifikuar nga dy seanca në ditë gjatë dy javëve të qëndrimit, madje dhe ditët e ndeshjeve ekipi do të zhvillojë paradite stërvitje. Kjo është pak a shumë axhenda e Skënderbeut në Antalia për periudhën 4-17 janar. Pak lëvizje pritet të ketë në janar, ku kryesisht po punohet për afrimin e një sulmuesi të huaj. Deri tani nuk ka detaje në lidhje me këtë fakt, por pas ndeshjes së fundit ndaj Teutës, klubi bardhekuq do të punojnë për të afruar sa më shpejt sulmuesin e shumëpritur, që do të kompensojë largimin para kohe të çekut Martin Nespor.      

Tre miqësoret e Skënderbeut në Turqi

08 janar 2018

Skënderbeu-Bursaspor

12 janar 2018

Skënderbeu-Beshiktash

15 janar 2018

Skënderbeu-Vitorul Konstanca

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *