Igli Tare ishte i ftuar në emisionin “Sport Time” atje ku ka folur për çështje të ndryshme të futbollit shqiptar. Për ta nisur me kampionatin shqiptar, teksa drejtori sportiv i Lacios është shprehur se e ndjek kur i jepet mundësia, duke treguar miqësinë me Olsi Ramën, por edhe bisedat me Tefik Osmanin.
“E ndjek kampionatin shqiptar, me aq sa ma lejon koha. Nuk jam i informuar aq shumë. Me Olsi Ramën ndaj një miqësi të përbashkët, me Osmanin kam folur disa herë. Nuk flasim për çfarë ndodh aty, por për anën formale”, tha Tare.
Gjithashtu Igli ka komentuar edhe grupin e Shqipërisë në kualifikueset e Botërorit. Pavarësisht vështirësisë së grupit ku gjendet Kombëtarja ekzistojnë mundësitë për të marrë vendin e dytë, që do të ishte arritje e madhe për kuqezinjtë.
“Pritshmëritë për Shqipërinë? Unë nuk e shikoj si problem grupin. Të luash kundër Anglisë është e vështirë. Polonia dhe Hungaria gjithashtu. Është grup i luftuar, Shqipëria nëse ia del mund ta arrijë atë vendin e dytë. Çfarë të bëjnë më tepër se kaq sa kemi arritur?! Ajo humbja me Lituaninë ishte diçka e keqe, por pastaj ia dolën të arrijnë kualifikimin për në grupin b. Kombëtarja është një ekip me lojtarë të rinj, arrijnë të luajnë me Kombëtaren pavarësisht mungesës së minutave. Nuk është e lehtë për t’u ambientuar.
Mbrojtja është shumë e ekuilibruar, në nivel mbi mesatar. Në mesfushë e shikoj pikën më të dobët, mungojnë dy lojtarë, që t’i japin jetëgjatësi këtij reparti. Bare është mirë, Gjasula me eksperiencë. Është një repart që e shikoj me pak vështirësi. Sulmi, kanë disa lojtarë të rinj plus Cikalleshin dhe Sadikun”, u shpreh Tare. /Sport Ekspres/