Minga lë Luftëtarin për Greqinë, e ndjek edhe një mbrojtës

Pas vetëm pak muajsh në futbollin shqiptar, Kristo Minga kthehet në atë grek, ku ka kaluar shumicën e karrierës, me jo pak sukses në aspektin personal. Mesfushori veteran ka mbyllur aventurën me Luftëtarin, ku firmosi në janar, për t’u kthyer në vendin fqinj.

Natyrisht, tani nuk është më një djalë i ri, sepse ka mbushur 34 vjeç, ndaj ka firmosur në kategorinë e tretë greke, te Kallamata.

Skuadra e qytetit të gadishullit të Peloponezit kërkon eksperiencë për të tentuar kthimin në divizionin e dytë grek dhe pret shumë nga Minga, lojtar me 112 ndeshje në Superligën greke dhe 175 ndeshje në divizionin e dytë. Jo më kot, Minga ka firmosur kontratë 2-vjeçare, edhe pse aventura në vendlindje, te Luftëtari, nuk ishte ashtu si priste, sepse luajti vetëm 216 minuta në Superiore, pa pasur mundësi të tregonte sa vlente.

MUSKAJ – Edhe një futbollist tjetër shqiptar shkon në divizionin e tretë grek, mbrojtësi Arben Muskaj. 24-vjeçari la Janinën për Partizanin në verën e vitit 2014, por gjithçka i shkoi ters. Në verën e vitit 2015 erdhi kalimi te Bylisi, ku luajti më shumë, por në fund të vitit u largua prej aty dhe u kthye në Greqi.

Sot Muskaj ka firmosur për klubin Souli Parathimias, i sapongjitur në divizionin e tretë grek.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *