Çelsi ishte një nga klubet që në merkaton e verës nuk u kursye aspak. Në një kohë kur shumica e skuadrave ishin prekur nga kriza që solli me vete pandemia Covid-19, manjati rus, Roman Abramoviç, shkrundi xhepat dhe solli në Londër emra si Havertc, Verner apo Zijek. Por duket se as milionat e shpenzuar nuk i kanë bërë punë Frenk Lampardit.
Ekipi i tij po kalon një periudhë mjaft të dobër javët e fundit, teksa renditen në vendin e 8 në tabelë dhe janë larg luftës për titull. Në këto kushte presidenti i Çelsit ka kthyer sytë nga një tjetër ish-lojtar i bluve të Londrës, Andrij Shevçenko. Është media franceze “Le10Sport” ajo që raporton një lajm të tillë.
Ish-sulmuesi i njohur momentalisht është në krye të pankinës së Kombëtares së tij të Ukrainës, post të cilin e mban që prej vitit 2016. Shevçenko ka bërë një punë mjaft të mirë në detyrën e tij si trajner, duke ngritur nivelin e Ukrainës, me të cilën siguroi edhe një biletë për në Europianin që do të zhvillohet verën e ardhshme./Halit Delibashi-Sport Ekspres/