Juventus nuk di të ndalet në merkato. Pak javë më parë në Torino zbarkoi Kristiano Ronaldo, ndërsa tani duket se pranë marrëveshjes është dhe lojtari serb Sergej Milinkoviç-Saviç. “Lalaziosiamonoi.it”, njofton se drejtuesit e Juventusit dhe ata të Lacios janë rifutur në bisedime në fundjavë dhe janë pranë një akordi.
“Zonja e vjetër” ka paraqitur një ofertë prej 120 milion eurosh, një shifër e konsiderueshme, pavarësisht se kryeqytetasit duan 150 milion euro. Kjo ofertë duket se i ka kënaqur drejtuesit e Lacios që po mendojnë të pranojnë ofertën e torinezëve.
Në mes është dhe Marko Pjaca, pasi shitja e tij do t’i ndihmonte bardhezinjtë që të ruanin bilancet financiare. Këtë merkato drejtuesit e Juves po shpenzojnë shifra marramendëse dhe duhet të jenë mjaft të kujdesshëm, për të mos shkelur rregullat e “fair-play”-t financiar, pasi UEFA po tregon se nuk toleron aspak.
Synimet e bardhezinjve këtë edicion janë të qarta, duhet me çdo kusht Champions League, pasi vetëm kështu do të shpërblehej investimi i bërë këtë verë.