Trajneri i Kukësit flet për skuadrën që ka në dispozicion dhe ndryshimet e pritshme, ndërsa komenton edhe përballjen mes Skënderbeut e Partizanit të Beogradit
Mlladen Milinkoviç e nisi shumë keq sezonin e ri, duke humbur 2 nga 4 ndeshjet e para të sezonit, mes Superkupës, kampionatit e kupës, dhe duke fituar pa shkëlqim ndaj Kamzës. Megjithatë, ishte një makinë ende në nisje e sipër dhe Kukësi në javët e fundit është përmirësuar ndjeshëm, duke fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit dhe duke u thyer vetëm nga Skënderbeu. Pikërisht për Skënderbeun trajneri serb ka folur gjatë emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, duke komentuar edhe sfidën e korçarëve kundër Partizanit të Beogradit, ndër të tjera.
SKËNDERBEU – “Shumë prisnin që Skënderbeu të ishte lodhur nga ndeshjet europiane, por me lojtarët që ka Skënderbeu ka luksin të bëjë rotacion dhe lojëra të mira. E sigurt është që ne bëmë një gabim të madh përballë tyre. Tani mund të them se mund të luanim më thjeshtë. Por ajo ka ikur dhe ne do të mundohemi që ta korrigjojmë atë që u bë. Partizani i Beogradit? Ka një skuadër të mirë. Sezonin e shkuar fitoi titullin dhe Kupën, këtë vit kanë marrë një trajner të ri, që e kanë pasur dhe para 10 vitesh, me shumë emër në kompeticionet europiane, por humbi lojtarin e vet më të mirë. Bënë disa transferime të mira. Sollën një lojtar si Tosiç, që ka luajtur dhe për përfaqësuesen. Është një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Ajo që do të fitojë do të marrë dhe vendin e dytë. Do të jem prezent në stadium”.
MERKATOJA – “Unë erdha pas eliminimit të Kukësit nga Europa edhe nuk kisha shumë lojtarë për të ndryshuar. E dija se do të largoheshin Pejiç e Dvornekoviç dhe të gjithë ata që u larguan dhe u munduam që të plotësonim vendet e tyre me këto lojtarë që erdhën më vonë, si Shtubina, Zeqiri e Bakaj, të cilët i njihja në kampionatin shqiptar. Ishin dhe dy lojtarë të tjerë shumë të mirë që donim t’i sillnim, por nuk i morëm dot. Tani jemi me këto lojtarë që kemi dhe besoj se nuk kemi ekip të dobët. Kemi rënë dakord që të jemi afër kreut deri në dhjetor që më pas të bëjmë ndërhyrje të tjera. Nuk jam nga trajnerët që dua të kem 25 lojtarë. Dua 16-17 të të njëjtit nivel dhe 7-8 lojtarë të rinj që mund të jenë e ardhmja e skuadrës.
ALIJEV NERVOZ – “Unë e lashë edhe me Kamzën në stol Alijevin dhe atëherë para ndeshjes e dinte që nuk do të luante që nga fillimi. Pas Superkupës, ku nuk luajti mirë dhe u kritikua nga gazetarët, desha ta mbroj që të mos e humbnim si lojtar. Sot nuk luajti sepse nuk mund të luanim me dy sulmues, sepse Teuta ka një ekip shumë të mirë. Nuk doja të luaja me tre sulmues të deklaruar. Deshëm të kontrollonim më shmë mesfushën. Kjo ishte arsyeja pse Kërkotiç, Imami dhe Bakaj ishin më të tërhequr dhe të luanim nga krahët me Ethemin dhe Kalenë, sepse janë lojtar të shpejtë dhe depërtues. Jemi shumë të kënaqur me dy golat e tij. Ne jemi profesionistë dhe ajo është puna e tij, të shënojë goal. Të gjithë duan të luajnë në formacion, por rëndësi ka që të fitojë skuadra dhe të marrim pikët e plota”.
ETHEMI ZBULIM – “Ethemi është vetëm 20 vjeç. Erdhi për provë në fazën përgatitore, na pëlqeu dhe e mbajtëm. Nëse vijon të punojë kështu do të arrijë shumë lart. Ka teknikë e shpejtësi, i mungon pak eksperienca, kur të ketë dhe eksperiencën do të jetë akoma dhe më mirë”.
KTHIMI NË GJIROKASTËR – “Në çdo fushë synojmë të fitojmë. Nuk duam që Skënderbeu të na shkëputet. Ne jemi profesionistë, rikthehemi në Gjirokastër, ku kemi kaluar mjaft mirë. Tifozët na donin shumë dhe jemi mjaft të kënaqur. Arritëm objektivat dhe dhamë maksimumin. Jemi të sigurt se do të na presin mirë.
GVOZDENOVIÇ DHE MUNGESA NË STOL – “Unë kam një staf shumë të mirë që punon me mua. Nuk e di pse FSHF jep leje të ulet vetëm një ndihmës. Edhe në gjithë botën ka një pankinë teknike ku ulen të gjithë, edhe analisti, edhe përgatitësi atletik. E rëndësishme që të gjithë më ndihmojnë. E patë dhe Panuçin, ftoi portierin tonë Koliçi dhe kjo është reflektim i punës së trajnerit të portierëve. Për mua edhe vjet ishte një çudi se kudo që kam luajtur nuk më ka ndodhur diçka e tillë”.