Më e vështirë është që ta ruash sesa ta fitosh titullin. Të gjithë e thonë, por shumë pak e arrijnë. Në Kukës e kishin skuadrën kampione dhe e shpërbënë pjesën më të madhe në sezonin aktual. Jo pak por plot 5 lojtarë titullarë u larguan nga Kukësi. Me Partizanin në fushën e lojës nuk ishte as kapiteni i Kukësit.
HALLAÇI – Trajneri kishte vendosur që ta ulte në stol kapitenin e Kukësit, i cili numëron më shumë ndeshje se askush tjetër te kampionët. “Flamuri i Kukësit” e pa ndeshjen nga stoli. Më shumë se një zgjedhje taktike duket si një veprim i ndikuar nga kritikat e ashpra të presidentit Gjici një javë më parë pas ndeshjes me Kamzën.
ALLA – Albi Alla u rikthye titullar pas ndeshjes me Kamzën. Qendërmbrojtësi nuk i ka punët mirë me trajnerin, kjo duket nga deklartat e teknikut i cili në disa raste e ka kryqëzuar duke i faturaurar gabimet për golat e pësuar.
MUSOLLI – Mbeti në dhomat e zhveshjes dje me Partizanin, ndërsa me Kamzën nuk e nisi titullar. Milinkoviç nuk e ka në listën e lojtarëve të preferuar kosovarin. Vetëm tre ndeshje të plota për mesfushorin nga Podujeva janë shumë pak, sidomos duke pasur parasysh që është një nga elementët kyç të skuadrës për më shumë se 4 sezone.
ALIJEV – Pas ndeshjes trajneri u pyet nëse i ka lojtarët me vete, por trajneri serb nuk e kishte asnjëherë Alijevin të tijin. Azeri mbetet larg skuadrës dhe nuk po e gjen veten në skemat e trajnerit. Një lojtar i humbur që në fillim.
SHTUBINA – Kapiteni i Vllaznisë në sezonet e shkuara, por vetëm një alternativë te Kukësi. Pak minuta për shkodranin, prej të cilit pritej shumë. Në konferencat për shtyp trajneri përmendte se disa lojtarë nuk jepnin maksimumin për shkak të filozofisë së lojës. Gjithsesi kur llogaritë bëhen dhe numri është i lartë, mos vallë duhet ndryshuar filozofia?