Trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka mbetur natyrisht i kënaqur nga fitorja ndaj Laçit, edhe pse goli i avantazhit vonoi. Pikërisht qetësia e skuadrës derisa gjeti golin kënaqë trajnerin serb: “Në pjesën e parë nuk ishim të qetë, por dua të uroj lojtaret për fitoren. U thashë në pushim të ndeshjes që duhet te jemi te qete dhe jo kaq nervozë.
“Sulmuesit tanë ishin në presion para ndeshjes. Sidomos që edhe gazetat kishin shkruar që sulmuesit nuk prodhojnë gol. Në pjesën e parë kemi pasur raste me Bakaj, Gurin dhe Alijevin. Ishte një moment i keq sepse edhe ata janë njerëz dhe ndikohen nga kritikat.
“Besoj se ishte një fitore e merituar, pavarësisht se rezultati ishte pak i ekzagjeruar. Laçi është një ekip i mire dhe e di çfarë kërkon ne fushën e lojës. Megjithatë, nëse duam ta quajmë veten ekip të madh dhe pretendent, duhen marrë disa rreziqe dhe duhet guxuar. Sot nuk u rrezikuam nga kundërsulmet, por duhet kujdes i madh dhe besoj se në vazhdimësi do të përmirësohemi edhe më shumë. Është e vërtetë që nuk luajtëm mirë gjatë gjithë ndeshjes, patëm momente pauze kur e ulnim ritmin, ndaj është diçka që duhet të punojmë për ta përmirësuar në vazhdim.
“Alijev? Ka një mënyrë loje me të cilën është mësuar në Azerbajxhan, vrapon shumë e konsumohet dhe qëndron jashtë zone, por me kalimin e ndeshjeve besoj se do ta kuptojë çfarë duam prej tij dhe do të jetë më efektiv”.