Miliç: Tek Apolonia për një projekt afatgjatë, Kupa tregoi vlerat tona

Dje Apolonia ka zhvilluar një ndeshje të mirë ndaj Kukësit, të vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Fitorja 2-1 për skuadrën fierake erdhi pas një loje me ritëm, kryesisht në pjesën e parë, por trajneri Rade Miliç deklaron për SportEkspres.com se skuadra ka shumë nevojë për t’u për mirësuar. Më shumë tekniku serb i referohet kampionatit dhe formulës në fazën e tretë, ndaj e quan një rrugë të vështirë.

“Fitorja me Kukësin ishte vetëm një ndeshje që tregoi se skuadra ka vlera, por ka edhe shumë për t’u përmirësuar. Nuk dua të qëndroj vetëm tek kjo sfidë, sepse unë këtu tek Apolonia kam ardhur për një projekt afatgjatë, jo për momentin”, ishte kjo deklarata e trajnerit të ri të Apolonisë,  Rade Miliç. Tekniku në këtë projekt kërkon kohë që të njohë më mirë specifikën e kampionatit, ndërsa mendon se skuadra ka nevojë edhe për merkato.

“Për kaq sa e njoh skuadrën e Apolonisë, veç elementëve cilësorë që ka, duhet edhe merkato. Unë kam kërkuar boshtin e skuadrës: një qendërmbrojtës, një mesfushor qendre dhe një qendërsulmues. Kështu do jemi më të qartë e të sigurtë në synimet tona, sepse para kemi kampionatin që ka tjetër specifikë nga Kupa. Sidomos në fazën e tretë, ku pikët do të përgjysmohen”.

Në kampionatin e Kategorisë së Parë, në Grupin B, Apolonia renditet në vendin e 7-të me 17 pikë, duke qenë në grupin e skuadrave që do të luftojnë për mbijetesën në këtë kategori.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *