Duhej një reagim i fortë pas humbjes kundër Lacios dhe ai erdhi. Milani ka mundur 2-1 Udinezen dhe ka bindur edhe në lojë, pavarësisht se në fillim të ndeshjes vuajti pak dhe dhuroi një gol. Zgjidhi gjithçka Nikola Kaliniç, autor i dy golave në pjesën e parë, i dyti menjëherë pas barazimit të Udinezes, që mori një dhuratë nga Romanjoli, autor i një pasimi të gabuar në mbrojtje, me Lazanjën që nuk fali. Si për Lazanjën, ashtu edhe për Kaliniçin, u anulua nga një gol me teknologjinë VAR.
Ndërkaq, Napoli i Hysajt ka shpartalluar 6-0 Beneventon e Memushajt dhe Gjimshitit. Hysaj ishte titullar, dy lojtarët e tjerë të kombëtares jo, me Gjimshitin që nuk ishte as në stol. Një derbi pa histori: në minutën e 32-të Napoli kryesonte 4-0 dhe gjithçka kishte marrë fund. Alan hapi serinë e golave, Insinje siguroi fitoren, Mertens shënoi 3 herë dhe Kajehon festoi gjithashtu.