Milani “ngrin” planet e merkatos, Suso “po” largimit

Lajmi i hidhur ardhur nga UEFA, që ka refuzuar marrëveshjen me Milanin dhe do ta dënojë klubin kuqezi për shkelje të rregullave të Fair-Play financiar, ka bërë që gjithë strategjia e Milanit në merkato të “ngrijë” për momentin.

Deri në qershor asnjë lëvizje, në pritje të vendimit të UEFA-s, sepse nse vjen ndonjë gjobë shumë e rëndë, apo përjashtimi nga Europa League, atëherë jo vetëm  nuk do të afrohet asnjë lojtar i nivelit të lartë, por do të ketë shitje yjesh, duke nisur nga portieri Donaruma.
Ndërkaq, Hezus Suso është shumë pranë largimit. Një ndër lojtarët më të rëndësishëm të Milanit në dy sezonet e fundit ka një klauzolë prej 38 milionë eurosh për prishjen e kontratës dhe ka gjithçka në dorë.

Gazetari italian Alfredo Pedulà raporton se Suso i ka thënë “po” transferimit te Napoli, që ndërkohë po firmos me Karlo Ançelotin dhe ky i fundit do të vendosë për merkaton. Nëse Ançeloti do ta dojë Suson, me shumë gjasa gjithçka do të mbyllet brenda pak javësh.

A është largimi i Susos një lajm i keq për Milanin? 38 milionë janë pak, por jo për arkat e boshatisura të Milanit, që kërkon të qetësojë UEFA-n.

Për momentin Milani bën plane me Bonaventurën dhe Kutronen në sulm, ku nevojitet edhe një përforcim për të zëvendësuar Suson, ndoshta duke marrë në huazim ndonjë futbollist që ka nevojë të luajë, sepse nuk bëhet fjalë që Milani të paguajë paratë e nevojshme për të blerë Moratën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *