Milani lutet të mos mbyllet Seria A, me rregullin e ri e kalon Verona e shqiptarëve dhe e lë pa Europë

Nga Klaudio Ndreca

Në Itali ka shpresë për t’u përmirësuar situata për shkak të Koronavirusit, por ndërkohë që kanë kaluar rreth dy muaj, nuk ka ende një qetësim dhe kontroll total të gjendjes. Futbolli është përgatitur në shumë raste për të filluar, por mbetet ende larg, pasi në këto shifra të infektimeve është e pamundur për t’u luajtur, megjithëse numrat nuk janë si më parë.

Nga ana tjetër, UEFA doli me deklaratën zyrtare se kampionatet duhet të nisin me patjetër në qershor dhe të mbyllen deri në 3 gusht. Në të kundërt, duhet të merret për bazë renditja aktuale. Milani ndodhet në vendin e shtatë dhe kalon në “Europa League” në pamje të parë, për shkakun se nuk kemi fituesin e Kupës.

Por duke marrë për bazë rregullin e ri, vendin e Milanit në këtë kompeticion do ta marrë Verona ku luajnë edhe dy lojtarë shqiptarë si Kumbulla dhe Rrahmani. Kjo për shkakun se kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje më tepër, ndërsa me rregullin e vendosur dhe që pritet të zbatohet në rastin ekstrem në Itali, do të bëhet përpjestimi i ndeshjeve të luajtura dhe sasive të pikëve të grumbulluara. Verona shkon në shifrën e 1.4 pikëve, ndërsa Milani në 1.38 pikë si mesatare. Kjo është menduar pasi do të ishte e padrejtë që në rastin konkret kuqezinjtë t’ia mohonin mundësinë Veronës me arsyen se kanë grumbulluar më shumë pikë, ndërsa kanë luajtur një ndeshje më shumë. /Sport Ekspres/