Tre penallti, të shndërruara në gol që në pesë javët e para tregojnë se “Djalli” ndëshkon edhe nga 11-metërshat
Milani ka një “armë” më shumë që, sigurisht nuk është aspak mirë ta nënvlerësosh, sidomos në epokën e “VAR”-it. Fillimi pozitiv i Milanit në këtë kampionat ka ardhur edhe për shkak të penalltive, që duket se, më shumë se “makth” janë një “asist” për kuqezinjtë. Janë tre 11-metërshat e shndërruara në gol nga “Djalli” në pesë ndeshjet e para të kampionatit. Në ndeshjet kundër ekipeve të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e syrit të teknologjisë, penalltitë përfaqësojnë shpesh mënyrën më të mirë për të zhbllokuar ndeshjet e vështira. i ka ndodhur skuadrës së Montelës në javën e parë të kampionatit kundër Krotones pas vetëm 6’ lojë dhe pikërisht kundër Spal-it, në ndeshjen e fundit të luajtur në shtëpi.
ME VAR-in – Dy penallti për Kesien dhe një për Rodrigezin. Lista e penalltive vazhdon pa gabime, të paktën për momentin, por nuk ka qenë gjithmonë kështu, përkundrazi. Kampionatin e shkuar janë realizuar vetëm 7 nga 12, me një gabim të Susos, dy të Niang dhe dy të Bakës. Disa prej këtyre gabimeve kanë ardhur në momente delikate të kampionatit, siç ka ndodhur me penalltinë e humbur nga Niang në “Olimpico” kundër Romës. Ecuria e deritanishme tregon se, për shkak të përfshirjes së “VAR”-it, numri i penalltive do të rritet. Një aspekt ky që mund të shkojë në favor të Milanit, duke parë specialistët që kanë ardhur nga merkato.
SPECIALISTËT – Baka, Niang dhe Lapadula (gjuajtësit e penalltive të vitit të kaluar) janë zëvendësuar nga Kesie, Bilia, Rodrigez, Silva dhe Çalhanoglu, të gjithë “killer” që e kanë provuar vlerën e tyre ng 11 metrat në kombëtare ose me ekipet e mëparshme. Më i miri është Kesie, i pagabueshëm në gjashtë penalltitë e ekzekutuara deri tani në karrierë. Pas tij vjen Rikardo Rodrigez (17/19), Çalhanoglu (17/20), Andre Silva (14/18) dhe Bilia (13/17). Por nuk duhen harruar as Bonaventura dhe Suso, të cilët janë alternativat e luksit. Sigurisht, penalltitë nuk janë një shkencë ekzakte dhe nuk mund të parashikohen, por duket se dikush në Milanelo ka marrë masat për të qenë gati në momentin e duhur.