Një derbi për t’u ringjallur, ai i Kupës së Italisë mes Milanit e Interit. Një sezon i zi për Milanin, në kaos total, por edhe Interi duket se po sheh fantazmat e së shkuarës, sepse ka humbur dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe ka nisur të humbasë terren ndaj kreut.
Për këtë arsye, ndeshja e kupës ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme, ku nuk mendohej më për rotacion e për ndeshjen e fundjavës në kampionat.
Triumfoi Milani 1-0, me një gol të shënuar nga Patrik Kutrone në minutën e 104-t të një ndeshjeje plot emocione.
Milani e nisi ndeshjen me Antonio Donarumën në portë, portieri më pak i famshëm nga familja Donaruma. E fishkëllyen para ndeshjes, por ishte më i miri i Milanit për të paktën një orë lojë në derbi, sepse Interi humbi raste të mira derisa e lanë bateritë.
Në pjesën e dytë nisi rritja e Milanit dhe Suso bënte ç’të donte. Nuk e deshi fati në disa raste, goditi edhe traversën, por dukej që Milani ishte shumë më i uritur dhe i nevrikosur se Interi. Në shtesë, pikërisht Suso dha asistin perfekt për Kutronen e futur në pjesën e dytë të ndeshjes, i cili në pozicion të rregullt i vetëm me Handanoviç nuk fali.
Festë e madhe për Milanin, përballë rreth 50.000 tifozëve, ndërsa tek Interi shtohet frika se ky sezon do të shkojë sërish në plehra.